1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Varhelyi: Do të sigurojmë më shumë vaksina për Ballkanin

Bekim Shehu
5 Maj 2021

Komisioneri i BE Oliver Varhelyi, tha në Prishtinë se BE do të sigurojë vaksina edhe më tej për Ballkanin Perëndimor. Kosova ende nuk ka blerë vetë vaksina për popullatën.

https://p.dw.com/p/3t060
Kosovo Pristina | Pressekonferenz Oliver Varhelyi und Albin Kurti
Fotografi: Office of the Kosovo prime minister

Komisioneri i BE Oliver Varhelyi tha në Prishtinë se BE do të  vazhdojë të punojë që të sigurojë vaksina edhe më tej për vendet e Ballkanit Perëndimor. Kosova ende nuk ka blerë vetë vaksina për popullatën.

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi po qëndron në Kosovë në kuadër  të turit ballkanik, në të cilin edhe Kosovës ju dhuruan mbi katër mijë vaksina anti-Covid ndihmë nga Bashkimi Evropian.

"Me këtë kontribut, sektori shëndetësor i Kosovës do të mund të vaksinohet me dërgesën e parë dhe me dërgesat që do të vijnë në qershor mund të vaksinoni punëtorët shëndetësorë. Ky është kontributi më i rëndësishëm që të ndihmojmë për fundin e pandemisë. Do të vazhdojmë të punojmë për të siguruar më shumë vaksina që të vaksinohen të gjithë. Ne e kemi shoqëruar Kosovën gjatë tërë pandemisë duke ofruar pajisje mjekësore. Tani po vijmë te vaksinat që mendojmë se është përpjekja e fundit për pandeminë, e dini që kjo për ne nënkupton se brengosemi për Ballkanin Perëndimor dhe për Kosovën”, tha Oliver Varhelyi gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Kosova ende nuk ka blerë vetë vaksina për popullatën

Qeveritë e Kosovës, as ajo e kaluara, qeveria Hoti, dhe as kjo e tashmja qeveria Kurti, akoma nuk kanë mundur ta blejnë asnjë vaksinë në mënyrë vetanake, veç një ndihmë të mëhershme prej 24 mijë vaksinash nga Covax dhe sot 4680 vaksina Pfizer nga BE-ja. Kryeministri Kurti tha se qeveria e tij po punon që të sigurojë vaksina, por, ndonjë datë nuk qe në gjendje ta thotë.

"Kjo sasi e parë e kësaj pakoje të dërguar nga Bashkimi Evropian, përveç që është shpresëdhënëse, na bën që të kemi përkrahjen e BE për qytetarët tanë, kjo simbolikë me shumë vlerë na jep besimin se rrugëtimi ynë drejt BE-së është i mbushur me miq e që sot do të falënderoj Austrinë. Vetëm duke qenë së bashku do ta fitojmë luftën kundër Covid-it. Sot po e rifillojmë vaksinimin dhe të mos ndalemi që të arrijmë të vaksinojmë deri 60% të popullatës”, tha Kurti duke shtuar se Qeveria e tij po punon që të sigurojë vaksina.

Kosova vazhdon të përballet me pandeminë, ndonëse ditëve të fundit numri i infektimeve me Covid-19 ka shënuar rënie. Sipas Institutit të Shëndetit Publik (IKSHPK), që nga fillimi i pandemisë, nga popullata prej 1.7 milion banorësh janë regjistruar  105.711 raste pozitive me 2191 vdekje. Numri i rasteve aktive është 7508.