1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Varianti Omikron bëhet dominues në Gjermani

14 Janar 2022

Varianti Omikron i koronavirusit është bërë dominues tanimë edhe në Gjermani. Ditët e fundit janë shënuar shifra rekord të infektimeve, por ka dallime të mëdha brenda Gjermanisë.

https://p.dw.com/p/45Wmf
Deutschland Hamburg | Coronavirus | Teststation
Qendër testimiFotografi: Christian Charisius/dpa/picture alliance

Edhe në Gjermani, Omikroni është tashmë varianti dominues i virusit Corona. Instituti Robert Koch (RKI) bën të ditur në raportin e fundit javor, se shifra e të gjitha rasteve ka arritur ndërkohë në 73 përqind të infektimeve me virusin Omikron. Por ende ka dallime të mëdha në mbarë vendin. Sipas RKI, pjesa e infektimeve me Omikron ishte vetëm 11% përqind në Mecklenburg-Pomerani, ndërsa në Bremen ishte 96 përqind.

Instituti RKI paralajmëron se në Gjermani pritet një rritje e lartë e numrit të infektimevë në javët e ardhshme, përfshirë edhe ata që janë vaksinuar dhe shëruar. Në të njëjtën kohë, RKI thekson se studimet fillestare tregojnë një përqindje më të ulët të personave që duhet të shtrohen në spitale, krahasuar me infeksionet me variantin Delta. Por ende nuk ka të dhëna të mjaftueshme për të dhënë vlerësime përfundimtare lidhur me ashpërsinë e sëmundjes dhe pasojat e variantit Omikron.

Deutschland | Coronavirus | PK Lauterbach und Wieler
Ministri gjerman i Shëndetësisë, Karl Lauterbach dhe kreu i RKI, Lothar WielerFotografi: Florian Gaertner/photothek/imago images

Problemet me testet e shpejta

Si pasojë e dominimit të variantit të ri, një përfaqësuese e një shoqate të mjekëve në Gjermani, Ute Teichert, paralajmëron se testet e shpejta nuk janë të përshtatshme për të përcaktuar, nëse dikush është prekur apo jo nga ky virus. "Për sa kohë që është e paqartë se cilat teste të shpejta zbulojnë me besueshmëri variantin Omikron, është problematike të përdoren teste të shpejta si një alternativë ndaj testeve PCR, për të konstatuar se personi është shëruar", tha kryetarja e Shoqatës Federale të Mjekëve të Shëndetit Publik (BVÖGD). "Nëse nuk kemi teste të mjaftueshme PCR, situata do të jetë më e vështirë”.

Sipas rregullave të reja të karantinës për të cilat kanë rënë dakord qeveria federale dhe ato të landeve, personat e infektuar apo ata që kanë pasur kontakt me personat e infektuar, mund të testohen pas shtatë ditësh me një test PCR ose një test antigjen dhe mund të shkurtojnë periudhën e karantinimit me tre ditë, nëse testi rezulton negativ. 

Dr. med. Ute Teichert
Dr. Ute Teichert Fotografi: Stauffenberg/Eventpress/picture-alliance

Teichert paralajmëron se situata mund të dalë jashtë kontrolli dhe zyrat e shëndetësisë nuk mund të ndjekin të gjitha rrjedhat e infektimeve. Ndaj kërkohet një rritje e ndjeshme e stafit në zyra, brenda një afati të shkurtër. "Ne nuk do të kemi një pasqyrë të qartë në javët e ardhshme," tha ajo. Shumë zyra që tani nuk e kanë situatën nën mbikqyrje të plotë.

Incidenca e infeksioneve të reja me virusin Corona ka arritur një nivel të ri. RKI njofton se incidenca shtatëditore në 100.000 banorë ka shkuar në 470,6. Ndërsa vetëm gjatë 24 orëve të fundit në Gjermani janë regjistruar 92.223 raste të reja të infektimeve me virusin Corona, që është shifër rekorde prej fillimit të pandemisë. Një javë më para kishte "vetëm" 56.335 infeksione të reja.

 

bc/se/fab (dpa, afp, rtr, rki)