Vatikan: Poste drejtuese tani edhe për gratë
6 Qershor 2022Vepra reformuese mban titullin "Praedicate Evangelium" (Predikoni Ungjillin). Sipas ekspertëve të kishës kjo tregon një dëshirë të qartë për reforma nga ana e kreut 85-vjeçar të Kishës Katolike. Pika më e rëndësishme e kushtetutës së re: laikët - përfshirë pra edhe gratë - mund të drejtojnë në të ardhmen dikasteret e ndryshme të Vatikanit dhe të drejtojnë institucionet qendrore më të larta të Vatikanit. Deri tani poste të tilla ishin të rezervuara vetëm për kardinalët dhe kryepeshkopët dhe në këtë mënyrë ekskluzivisht për meshkuj.
Në dokumentin prej afërsisht 50 faqesh me 250 paragrafë Papa Françesku flet për "një decentralizim të shëndetshëm” dhe kalimin e më shumë kompetencave tek ipeshkvijtë dhe peshkopët në mbarë botën. Kështu ipeshkvijtë vendorë mund të ndërhyjnë në administrimin e seminareve, në formimin e meshtarëve, në hartimin e katekizmit dhe në fusha të tjera, pa kërkuar miratimin e Vatikanit, por vetëm një konfirmim të thjeshtë.
Papa Françesku bën thirrje për "kulturë paqeje"
Me rastin e festës së Rrëshajëve Papa Françesku bëri përsëri thirrje për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe për një "kulturë paqeje". Bota dominohet tani nga pasojat e pandemisë, nga uria dhe vuajtjet në shumë pjesë të botës, tha ai në një video-mesazh. Po ashtu ka edhe "luftë mes vëllezërve, luftë mes të krishterëve”, tha 85-vjeçari, duke iu referuar "pushtimit të Ukrainës”. Ai trajtoi gjithashtu situatën e vështirë në Jemen dhe Liban dhe "martirizimin" e pakicës myslimane të rohingiave.
Sidomos liderët e shteteve duhet të punojnë për zgjidhjen paqësore të konflikteve, tha Papa por pa përmendur emra konkretë. Historia do t'i gjykojë përpjekjet e tyre. Por çdo individ duhet të përhapë dashurinë dhe t'i japë fund urrejtjes në jetën e tij të përditshme, tha Papa, se vetëm kështu mund ta ndryshoni botën. Paqja fillon në familje, në marrëdhëniet personale. Kreu i Kishës Katolike theksoi se pjesë e kësaj janë edhe dashuria për armiqtë dhe për ata që mendojnë ndryshe.