1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

'Vatileaks': Më shumë pyetje se përgjigje

30 Maj 2012

Pas arrestimit të maxhordomit personal të Papës vazhdojnë supozimet lidhur me "Vatileaks". Skandali shkakton shumë zhurmë, fakte por shumë spekullime.

https://p.dw.com/p/154N4
Papa Benedikti XVI
Papa Benedikti XVIFotografi: dapd

Është fjala për intriga, tradhëti dhe dokumente sekrete dhe duket gati si histori me detektivë. Maxhordomi personal i Papës Benedikti XVI, Paolo Gabriele, ka qenë me sa duket urithi, që për muaj me radhë ka nxjerrë informacione konfidenciale nga Vatikani në publik. Për korrupsion, nepotizëm dhe keqmenaxhim, si dhe një komplot të dyshuar për atentat kundër Papës.

Me arrestimin e Gabriele-s javën e kaluar afera e quajtur nga vetë Vatikani si "Vatileaks" arriti kulmin e saj. "Arrestimi i maxhordomit është kulmi dramatik i kësaj afere, sepse nuk mund të ketë njeri tjetër, i cili është më afër papës", thotë Ludwig Ring-Eifel, Kryeredaktor i agjencisë katolike të lajmeve.


Askush nuk ishte më pranë papës

Që nga viti 2006 Gabriele ka qëndruar në krah të Papa Benediktit XVI. 46-vjeçari, baba i tre fëmijëve, është ndoshta i vetmi person, i cili, siç shkruante gazeta italiane "Libero", e ka parë Benediktin XVI. në pizhama. Ai ndihmonte Papën për t'u veshur, i shërbente kur hante dhe i përgatiste dhomën e gjumit. Në publik ai shpesh shihej në krah të Papës, si për shëmbull, kur e shoqëronte në audiencat e tij të përgjithshme, ose kur përpiqej ta mbronte Papën nga shiu.

Si "Maggiordomo", Gabriele ishte krahas sekretarëve të tij privatë Georg Gänswein dhe Alfred Xuereb, si dhe katër murgeshave një nga bashkëpunëtorët më të afërt të kreut të kishës, ai bënte pjesë në të ashtuquajturën familje papnore. Ky fakt dhe libri i botuar një javë më parë "Sua Santità" (Shenjtëria e tij) i gazetarit televiziv Gianluigi Nuzzi bëri që hetuesit të bien në gjurmët e tij.

Urith nga familja papnore

Sepse ky libër me korrespondencën konfidenciale të Papës dhe zbulimet e reja të "Vatileaks" përmban edhe faksimile të dokumenteve lidhur me fondacionin Joseph Ratzinger Papa Benedikti XVI, një transfer parash të urdhëruar nga sekretari i Papës Gänswein nga Fondacionit Ratzinger për Bankën e Vatikanii IOR.

Muret e Vatikanit
Sekreti pas mureve të VatikanitFotografi: AP

Këto dokumente nuk ishin destinuar për arkivat e Selisë së Shenjtë dhe nuk ishin regjistruar atje, kështu që ata mund të vinin vetëm nga tavolina e papës, apo e sekretarit të tij privat.

Dorasi pra duhej të ishte një nga ata pak njerëz, të cilët hynin në banesën e Papës. Kontrolli i dhomave private të Gabrieles e konfirmoi dyshimin fillestar, policia pohoi se ka siguruar katër kuti me dokumenteve konfidenciale. Por me arrestimin e Gabrieles çështja nuk është kapërcyer. Sepse akoma ka më shumë pyetje se sa përgjigje për "Vatileaks" dhe arrestimin e maxhordomit.

Kujt i shërben intriga?

Meqenëse Vatikani jep shumë pak informacione, teoritë e konspiracionit dhe të komplotit kanë ndërkohë konjukturë të lartë në mediat italiane. Shumë janë të mendimit se Gabriele nuk ka qenë i vetëm. "Bëhet fjalë për një njeri të thjeshtë, që nuk ka vullnetin dhe mundësinë për t'i organizuar të gjitha vetëm. Unë mendoj se pas tij është dikush, ndoshta një person i nivelit të lartë, që e ka shtyrë." Për këtë është i bindur eksperti për Vatikanin në gazetën e përditshme torineze 'Stampa', Marco Tosatti.

Një kardinal italian ka rënë nën dyshim gjatë hetimeve, shkruante ndër të tjera gazeta ditore "Corriere della Sera ", gjë që zëdhënësi i Vatikanit Federico Lombardi e përgënjeshtroi menjëherë. Por spekulimet rreth një lufte për pushtet brenda kryesisë së Vatikanit vazhdojnë. Disa gazeta italiane botuan intervista me persona anonimë, të cilët duhet të kenë qenë të përfshirë në transferimin e informacionit jashtë Vatikanit.

Kardinali Tarcisio Bertone, numri dy në Vatikan
Kardinali Tarcisio Bertone, numri dy në VatikanFotografi: picture-alliance/dpa

Qëllimi i veprimeve është të krijojnë një kundërpeshë ndaj dominimit të sekretarit të shtetit, kardinalit Tarcisio Bertone, njoftojnë burimet anonime njëzëri. Bertone pengon zbulimin e makinacioneve korruptuese të njerëzve të tij. Për këtë arsye ai duhet të ketë hequr guvernatorin e qytetit të Vatikanit, duke e dërguar si ambasador të Papës në Uashington. "Ky transferim ishte fillimi", citon gazeta romane 'La Repubblica' një informant anonim, që e quan veten gjithashtu "urithi".

Ring-Eifel: është fjala për më shumë transparencë në Vatikan

Edhe kryeredaktori i agjencisë katolike të lajmeve Ring-Eifel mendon se "Vatileaks" drejtohet në radhë të parë kundër sekretarit të shtetit, Kardinalit Bertone dhe stilit të tij të qeverisjes dhe komunikimit. "Ish-guvernatori ka fyer shumë njerëz dhe për këtë arsye u transferua në Washington. Kjo ndoshta ka qenë shkaku për këtë grup, apo atë rrjet që të veprojnë," thotë Ring-Eifel. "Një njeri, që kërkon efikasitetit dhe transparencë dhe do ta zbatojë atë, dënohet si të thuash, sepse ai vepron kundër mentalitetit mbizotërues."

Ring Eifel
Ring EifelFotografi: DW-TV

Megjithatë eksperti i Vatikanit e kundërshton tezën e luftës për pushtet. "Kjo do të thoshte se ka dy grupe të ndryshme, që luftojnë për pushtet në Vatikan, gjë që unë nuk mund ta konstatoj. Më shumë është fjala për stile të ndryshme të qeverisjes dhe informimit", thotë Ring-Eifel.

"Unë besoj se me të vertetë kanë qenë të përfshirë disa njerëz. Njerëz që janë të interesuar për transparencë në Vatikan. Ky do të ketë qenë motivi kryesor për këta njerëz", pohon ai. Dritë në errësirë mund të sjellë ndoshta vetëm Gabriele. Pas një heshtjeje fillestare ish-maxhordomi ka shprehur gatishmërinë, që të bashkëpunojë me autoritetet e hetuesisë. Zëdhënësi i Vatikanit Lombardi njoftoi të martën se fillimi i pyetjeve formale është vendosur për "në fund të kësaj jave, ose në fillim të javës së ardhshme." Për aq kohë në Romë dhe Itali do të vazhdojë të spekullohet për intriga, tradhëti dhe luftë për pushtet.

Autor: Wulff Wilde / Angelina Verbica

Redaktoi: Bahri Cani