Vende pune në kurriz të moralit
25 Korrik 2014Ndërtuesit të anijeve Peene në Wolgast thuajse i kishte ardhur fundi. 60 vjet ndërtim anijesh, një histori suksesi në Pomeraninë me strukturë të dobët ekonomike, rreth 500 vende pune - por e gjithë kjo rrezikonte të merrte fund. Në gusht 2012 kriza në sektorin e lundrimit e solli prodhuesin e anijeve në buzë të falimentimit.
Shpëtimi erdhi krejt papritur. Në vitin 2013 grupi Lürssen nga Bremeni e bleu prodhuesin e anijeve dhe solli me vete dhe një porosi të majme. Në 2014 Lürssen bëri të ditur se do të prodhonte për mbrojtjen bregdetare të Arabisë Saudite: varka patrullimi për një vlerë prej 1,4 miliardë eurosh, sipas njoftimeve të medieve. Një eksport armatimi pra për Wolgast-in. Eksporte të tilla janë të kontestuara politikisht. Vitin e kaluar qeveria gjermane miratoi eksporte të veçanta për produkte armatimi në vlerë prej 5,8 miliardë eurosh. Ato kishin destinacion edhe vende të tilla si Arabia Saudite apo Katari. Atje shkelja e të drejtave të njeriut është në rendin e ditës. Veç kësaj në rajon ka konflikte të rënda. Eksportet e armëve për këtë arsye ndeshin në kritika, në Parlamentin Federal para së gjithash nga ana e partisë E Majta. Ajo është parimisht kundër të gjitha eksporteve të armëve. Ndalimi i tyre madje duhet të ankorohet edhe me kushtetutë, kërkon kjo parti në programin e saj.
Shkelje me vetëdije e programit të partisë
Kur në Wolgast u bë e ditur për porosinë për armatime për prodhuesin e anijeve Peene, partia E Majta ishte e përfaqësuar me tetë deputetë në parlamentin e qytetit. Në emër të tyre shefi i grupit parlamentar Lars Bergemann deklaroi publikisht se kjo porosi i jepte një perspektivë shumë familjeve në qytetin me 12.000 banorë dhe rrethinat e tij. Fuqia blerëse do të mbetej në rajon dhe fuqia e specializuar e punës do të gjente atje punë. Një vlerësim pozitiv dhe një shkelje me vetëdije e programit të partisë.
Bergemann u justifikua: punëtorët e firmës Peene duhej të ushqenin familjet e tyre dhe kërkojnë një standard të caktuar jetese. "Këtë e dua edhe unë", thotë ai "dhe për këtë arsye duhet të them gjithnjë: 'Ok, më duhet një kompas.' Nganjëherë më duhen edhe pozicione radikale. Por nganjëherë duhet edhe të pyes: 'A është kjo e aftë të mbijetojë? Apo është thjesht populizëm?". Me kompasin ai nënkupton programin e partisë E Majta dhe kërkesën për një ndalim të të gjitha eksporteve të armatimeve.
Jeta e njeriut është e pacënueshme?
Jan van Aken e merr shumë seriozisht këtë kërkesë për ndalimin e eksporteve të armatimeve. Ai është ekspert për armatimet i partisë E Majta në Bundestag në Berlin. Dhe ai nuk e pranon devijimin që Bergemann kërkon për Wolgast-in edhe nëse prej tij shpëtohen vende pune. "Kjo është mbështetje për një regjim shtypës", thotë ai i indinjuar dhe shton, "madje me armë. Kjo është për mua krejt e gabuar."
Pak më shumë se 300 vende pune ka pas shpëtimit të prodhuesit Peene, 360 do të bëhen sipas deklaratave të grupit Lürssen. Alternativa ndaj punës në kantierin e prodhimit të anijeve nuk ka në rajonin me strukturë të dobët ekonomike. Edhe gjatë muajve të mirë të vitit, kuota e papunësisë në Wolgast është dyshifrore. Por për van Aken këto argumente nuk janë bindës: "Nuk mund të vihen vendet e punës mbi jetën e njerëzve, kjo nuk bëhet".
Pragmatizmi i mund idealet
Politikani komunal Lars Bergemann e di se disa në kantierin Peene kanë brerje të ndërgjegjes. Ai është 41 vjeç, babai i tij inxhinier në kantier. Prej 15 vjetësh angazhohet Bergemann në politikën komunale. Ai i njeh shqetësimet e bashkëqytetarëve shumë mirë: sipërmarrësit që i tremben rënies së biznesit, punëtorët e kantierit që duhet të paguajnë kreditë e larta të shtëpive. Për këtë arsye ai është për pragmatizëm. Vendimi për eksportin e barkave të patrullimit nuk është marrë në Wolgast, argumenton ai. Qeveria në Arabinë Saudite ka vendosur t'i blejë ato. Këshilli Federal i Sigurisë në Berlin e ka vlerësuar pozitivisht eksportin. Qeveria federale ka dhënë për atë një garanci kredie. Grupi Lürssen nga Bremeni ka vendosur që ndërtimi i varkave të fillojë në 2015 në Wolgast. "Detyra ime si politikan komunal është të them: 'është shumë mirë që njerëzit tanë kanë punë.'" Kjo nuk do të thotë megjithatë që ai e përshëndet prodhimin e anijeve të marinës në qytetin e tij. Por porosi tjetër nuk ka.
Përfaqësuesi më popullor i Wolgast-it
Eksperti për armatimet Jan van Aken argumenton nga ana tjetër se qyteti prej vitesh duhej të ishte orientuar drejt produkteve civile. Mqs kjo nuk është bërë në Wolgast tani qyteti është i detyruar të pranojë presionin për porosi armatimesh. Dhe sidoqoftë secili mban edhe një përgjegjësi individuale. "Si punëmarrës secili duhet të reflektojë nëse dëshëron të vazhdojë të punojë për prodhimin e instrumenteve të vrasjes. Cdo armë e gjen luftën e saj dhe me to vriten njerëz", thotë van Aken.
Politikani komunal Bergemann nuk është dëmtuar nga pozicionimi kundër linjës së partisë. Në zgjedhjet e reja për parlamentin e qytetit pak javë më parë ai arriti të marrë dy herë më shumë vota se herën e fundit.