1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëAmerika e Veriut

Vendet e BRICS-it profilizohen kundër G7

4 Prill 2023

Aleancë e vjetër, fuqi e re: vendet e BRICS-it Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut duan të ofrojnë një model të kundërt nga ai i grupit G7.

https://p.dw.com/p/4Pevp
Vendet e BRICS-it profilizohen kundër G7
Vendet e BRICS-it profilizohen kundër G7Fotografi: Pavel Golovkin/AP Photo/picture alliance

Parashikimet e bëra për vendet anëtare të BRICS-it si vende me rritje të madhe ekonomike nuk u realizuan krejtësisht. Në vend të kësaj, kjo aleancë është duke ofruar tani një forum diplomatik si dhe financimin e zhvillimit, ndryshe nga rryma  perëndimore. 

Akronimi filloi si një term optimist për të përshkruar fillimisht vendet me rritjen më të shpejtë ekonomike në botë, në atë kohë. Por tani vendet e BRICS-it, Brazili, Rusia, India, Kina, Afrika e Jugut janë duke e prezantuar veten si një alternativë të reqë u shtohet forumeve ekzistuese ndërkombëtare ekonomike dhe politike. "Miti i krijimit si ekonomitë me zhvillim më të shpejtë të botës është shuar,” konfirmon Günther Maihold, nëndrejtor i Institutit gjerman për çështjet ndërkombëtare dhe të sigurisë, SWP. "Vendet e BRICS-it janë duke përjetuar momentin e tyre gjeopolitik.”

Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut janë duke u përpjekur ta pozicionojnë veten si përfaqësuese të Jugut Global, duke ofruar "një model alternative të ndryshëm nga G7”. G7 është një "forum jozyrtar” i kryetarëve të shteteve të vendeve me ekonomi më të zhvilluar të botës, i krijuar në vitin 1975. Anëtare të saj janë Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Japonia, Kanadaja dhe SHBA, si dhe BE.

Akronimi BRIC është krijuar nga gërmat e para të emrave të Brazilit, Rusisë, Indisë dhe Kinës
Akronimi BRIC është krijuar nga gërmat e para të emrave të Brazilit, Rusisë, Indisë dhe KinësFotografi: Wu Hong/AP Images/picture alliance

Akronimi BRIC, inicialet e të cilit janë marrë nga gërmat e para të emrave të Brazilit, Rusisë, Indisë dhe Kinës, është krijuar nga Jim O'Neill në vitin 2001 kur ai ishte kryekonomisti i Bankës Ndërkombëtare të Investimeve, Goldman Sachs. Në atë kohë këto katër vende kishin nivel të lartë të zhvillimit ekonomik dhe etiketa BRIC fliste për optimizmin ekonomik për të ardhmen e këtyre vendeve. Kundërshtarët e këtij etiketimi thoshin se këto vende ishin shumë të ndryshme dhe nuk mund të bëheshin bashkë në një grup të tillë, kështu që realisht ky etiketim kishte të bënte vetëm me truket e marketingut të Goldman Sachs-it.

Por ajo që filloi si truk marketingu për të inkurajuar investorët është kthyer tani në platformë bashkëpunimi ndërqeveritar, të ngjashëm me G7. Në vitin 2009, katër vendet u takuan për herë të parë në samitin e Jekaterinburgut në Rusi. Në vitin 2010, Afrika e Jugut u ftua të bëhej anëtare e grupit, duke shtuar "S”-në, dhe emri u kthye në BRICS.

Sfidë ndaj modelit të Bankës Botërore

Në vitin 2014, vendet e BRICS-it krijuan me një kapital fillestar prej 50 miliardë dollarësh (rreth 46 miliardë euro) bankën New Development Bank, si bankë alternativë ndaj Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Përveç kësaj, për të mbështetur vendet anëtare që kishin probleme me pagesat ata krijuan një mekanizëm likuiditeti që quhej Contingent Reserve Arrangement, rregullim i rezervave për kontigjentin.

Këto oferta nuk ishin tërheqëse vetëm për vendet e BRIC-it vetë, por edhe për shumë vende me ekonomi në zhvillim dhe ekonomi në rritje, të cilat kanë pasur eksperienca të dhimbshme me programet e përshtatjes strukturale të FMN dhe masat shtrënguese të vendosura prej tij. Kjo është arsyeja pse shumë vende thanë se mund të ishin të interesuara të bëheshin anëtarë të grupit të BRICS-it. 

Në vitin 2014 vendet e BRICS-it krijuan bankën New Development Bank
Në vitin 2014 vendet e BRICS-it krijuan bankën New Development BankFotografi: Wang Gang/Costfoto/picture alliance

Banka e BRICS është e hapur për anëtarët e rinj. Në vitin 2021, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Uruguaji dhe Bangladeshi blenë aksione të bankës. Sidoqoftë këto blerje ishin shumë më të pakta se sa investimi respektivisht prej 10 miliardë dollarësh, bërë nga anëtarët e bankës që morrën pjesë në krijimin e saj. 

Vendosmëri për t'u zgjeruar

Ministrja afrikano-jugore, Naledi Pandor thotë se në gjithë botën interesimi për grupin e BRICS-it ka qenë "i madh”. Në fillim të marsit, ajo tha në një intervistë televizive se ka në tavolinën e punës 12 letra që kanë ardhur nga vendet e interesuara.

"Një është Arabia Saudite,” tha ajo. "Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti, Algjeria dhe Argjentina,” si dhe Meksiko e Nigeria, po ashtu. "Sapo të kemi vlerësuar kriteret për huadhëniet, ne do të marrim vendimin,” tha ajo, duke theksuar se kjo temë do të përfshihet në axhendën e samitit që pritet të mbahet gushtin e ardhshëm në Afrikën e Jugut. Zhvillimet e fundit ekonomike në vendet anëtare të BRICS-it kanë pak të bëjnë me mitin krijues të grupit. Që nga ajo kohë, nga pesë vendet anëtare, vetëm Kina ka arritur zhvillim të madh dhe të qëndrueshëm. 

Ndërkohë që prodhimi i brendshëm bruto në Kinë është rritur nga 6 trilionë dollarë në vitin 2010 në gati 18 trilionë dollar në vitin 2021, ekonomitë e Brazilit, Afrikës së Jugut dhe Rusisë kanë qëndruar pezull. Prodhimi i brendshëm bruto në Indi është rritur nga 1,7 trilionë në 3,1 trilionë dollar, por është tejkaluar nga rritja ekonomike e Kinës.

Takim virtual i BRICS
Takim virtual i BRICSFotografi: BRICS Press Information Bureau/AP/picture alliance

Kundër sanksioneve ndaj Rusisë

Që me fillimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, vendet e BRICS-it janë distancuar gjithnjë e më shumë nga i ashtuquajturi Perëndim. As India, as Brazili, Afrika e Jugut, ose Kina nuk kanë marrë pjesë në vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë. Kjo është bërë gjithnjë e më e qartë me nivelin gati historik që ka arritur tregtia midis Indisë dhe Rusisë, ose në varësinë e Brazilit për plehrat kimike ruse. 

"Sa i përket diplomacisë, lufta në Ukrainë duket se ka vendosur një linjë të fortë ndarjeje midis vendeve të lindjes që mbështesin Rusinë dhe Perëndimit,” shkruante në fund të vitit të kaluar për revistën Economics Observatory, studiuesi i shkencave politike, Matthew Bishop nga Universiteti i Sheffield-it." Si pasojë, disa politikbërës europianë dhe amerikanë shqetësohen se vendet e BRICS-it mund të jenë më pak të interesuar për të qënë klub ekonomik i fuqive në rritje që kërkojnë të influencojnë jugun global, se sa janë të interesuar të jenë fuqi politike që përcaktohen nga nacionalizmi i tyre autoritar”.

Kështu mendon edhe Maihold nga Instituti gjerman për çështjet ndërkombëtare dhe të sigurisë. Ai thotë se aleanca e vendeve të BRICS-it nuk është kontrapunkt ndaj perëndimit sa është forum për pikëpamjet në rritje të sovranitetit dhe autonomisë. Në një botë bipolare, ai mendon se Afrika e Jugut, India dhe Brazili janë thjesht "duke konkurruar për kushte më të mira”. 

Takim virtual i BRIC-ut në vitin 2022
Takim virtual i BRIC-ut në vitin 2022Fotografi: Mikhail Metzel/AP/picture alliance

Kina, nga ana tjetër, është duke e përdorur platformën për ambiciet e saj globale politike, shton Maihold, duke kujtuar ofertën e Pekinit për të qenë mediator në luftën e Ukrainës dhe ushtrimet e përbashkëta ushtarake mbajtur me Rusinë dhe Afrikën e Jugut. Maihold mendon se Perëndimi i ka parë këto ndryshime dhe është duke u përpjekur të kundërveprojë. "Ata janë duke i ndjekur zhvillimet me shumë vëmendje," thotë ai. "Në samitin e G7 në Gjermani mbajtur në vitin 2022, ata e treguan se janë duke i kushtuar rëndësi duke ftuar Afrikën e Jugut dhe Indinë, në mënyrë që të mos duket sikur G7 është duke luftuar BRICS-in”.