1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Veprimtari autistësh në Vjenë - Pak: Takimi ishte i rëndësishëm, por kam dyshim nëse ishin këto bisedimet e duhura

25 Korrik 2006

BE-ja do të luajë një rol të rëndësishëm vetëm pasi zgjidhja e çështjes të jetë parashtruar në tryezë, shprehet në intervistë për DW, eurodeputetja kristiandemokrate gjermane Doris Pak

https://p.dw.com/p/Are0
Doris Pak, eurodeputete kristiandemokrate
Doris Pak, eurodeputete kristiandemokrateFotografi: dpa

E pyetur fillimisht si i komenton bisedimet e para në nivelin e lartë zyrtar të zhvilluara të hënën në Vjenë, znj. Pak përgjigjet:

"Padyshim që ky takim ishte i rëndësishëm, por nëse ishin këto bisedimet e duhura, për këtë kam dyshim. Sepse pozicionet e të dyja palëve janë kaq larg njëri-tjetrit, sa që ka shumë pak pika takimi. Ndaj ishte pozitive që të dyja palët u ulën në një tryezë përballë njëra-tjetrës dhe ndoshta ky është një fillim për një zgjidhje të mundshme. Por unë nuk besoj, se mund të arrihet shpejt në një marrëveshje. Që të arrihet vërtetë një marrëveshje duhet bërë ende shumë më tepër nga sa kanë ofruar tani të dyja palët. Ndaj mendoj se do të zgjasë edhe pak dhe tek e fundit ndoshta do të arrijë puna që rregullimi i çështjes pak a shumë do të imponohet prej bashkësisë ndërkombëtare. Kjo pasi as serbët nuk duan dhe nuk do të lëshojnë pe, duke pasur parasysh edhe se së shpejti atje do të ketë zgjedhje, gjë që mund t´i favorizojë forcat radikale."

Sa i përket rrjedhës së këtyre bisedimeve dhe mundësisë për arritjen e një kompromisi eurodeputetja, Doris Pak thekson:

"Unë nuk e di nëse në Vjenë vërtetë ka pasur bisedime. Gazetari i "Frankfurter Allgemeine Zeitung" në artikullin e tij shkruante, se kishim të bënim me një aktivitet autistësh, secili ka thënë diçka, por asnjëri se ka dëgjuar tjetrin, sepse pozicionet janë të papajtueshme. Ndaj është një sipërmarrje e vështirë për Marti Ahtisarin që nga ato që u propozuan të hartojë një kompromis. Unë vetëm sa mund t´i uroj atij sukses, sepse nuk shoh shumë shanse."

E pyetur për rolin që mund të luajë BE-ja në procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës dhe më pas, Pak thekson:

"BE-ja do të luajë një rol të rëndësishëm vetëm pasi zgjidhja e çështjes të jetë parashtruar në tryezë. Kjo do të thotë, nëse e dimë se si do të jetë statusi, atëherë BE-ja do të marrë përsipër rolin e vërtetë për ta mbikqyrur dhe shoqëruar procesin që do të jetë rezultat i këtyre bisedimeve. Rezultat ky që eventualisht do të aprovohet nga Këshilli i Sigurimit, e me këtë duhet të pajtohen si shqiptarët edhe serbët. Pikërisht kjo do të jetë detyrë e BE-së, ne do të jemi atje të pranishëm, OKB-ja, pra UNMIK-u do të largohet. Se në ç´mënyrë dhe me ç´intensitet do të angazhohet BE-ja, kjo do të përcaktohet gjatë muajve të ardhshëm, por shpresoj që të mos kemi një shembull të ngjashëm si në Bosnje-Hercegovinë. Sepse ky shembull nuk është fort i favorshëm."

Dhe së fundi lidhur me deklaratat, se brenda këtij viti duhet të jepet një zgjidhje, eurodeputeja kristiandemokrate, Pak nënvizon:

"Eshtë deklaruar se dëshirohet të gjendet një zgjidhje, por përderisa deri tani jo të gjithë janë të vendosur, se deri në fund të vitit duhet të arrihet në një zgjidhje, është e rëndësishme ajo se ç´duhet bërë këtë vit. Por qoftë këtë vit apo vitin e ardhshëm, asgjë s´ndryshon në drejtim të vështirësisë së kësaj problematike. Ndaj për të gjitha palët është më mirë që qysh në fillim të jetë e qartë, se si do të jetë situata në këtë rajon. Kjo është e rëndësishme edhe për rininë në Serbi. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për të ardhmen e Serbisë, sepse të gjithë duan të jenë në BE. Nëse është sqaruar çështja e statusit, atëherë unë besoj, se ne si evropianë mund t´u ndihmojmë si serbëve edhe njerëzve që jetojnë në Kosovë në rrugën dejt BE-së. Unë shpresoj shumë që kjo të jetë një datë, së cilës mund t´i përmbahet bashkësia ndërkombëtare, sepse në rast të kundërt në Kosovë s´mund të evitoheshin trazirat."