Videot e vënë policinë gjermane nën presion
19 Gusht 2020Vetëm 15 sekonda zgjat videoja e shpërndarë në Twitter. Ajo tregon një punonjës policie që mban poshtë një të ndaluar me gju. Në sfond dikush bërtet: "Hiqe gjurin". Dhe menjëherë pas kësaj: "Vëlla, kjo nuk është për të qeshur." Videoja është bërë të shtunën e kaluar gjatë një operacioni policie në Düsseldorf, në landin e Renanisë Veriore-Vestfalisë. Në shikim të parë, pamjet të zgjojnë kujtimet e operacionit të policisë në Minneapolis, SHBA, ku afrikano-amerikani George Floyd vdiq pasi u arrestua me forcë në fund të majit. Në Düsseldorf, i arrestuari 15-vjeçar nuk u dëmtua. Kundër tij ka disa kallëzime, raporton agjensia gjermane e shtypit dpa.
Hetime prokuroria ka nisur edhe kundër policit, që ka përdorur gjurin. Avokati i policit i mbrojti veprimet e klientit të tij.
Ai e kishte fiksuar 15-vjeçarin në kokë me kërcirin e këmbës "Kjo kështu mësohet në trajnim," i tha avokati Christoph Arnold dpa. Sipas kësaj, 15-vjeçari ende kishte një krah të lirë nën trupin e tij në dysheme. Kjo kishte qenë një situatë e rrezikshme për policin, sepse i ndaluari mund të ngrihej ose, për shembull, të nxirrte një armë. Tani edhe në Gjermani po debatohet për dhunën e policisë. Sa larg mund të shkojë policia? Sa dhunë është e përshtatshme?
Përdorimi i palejueshëm i forcës
Videoja e Düsseldorfit nuk është e vetmja që qarkulloi kudo në Twitter dhe Instagram gjatë fundjavës dhe që tregon operacione potencialisht jo proporcionale policore. Në Instagram po qarkullon edhe një regjistrim i një operacioni nga Frankfurti në landin e Hessenit. Videoja është regjistruar dhe shpërndarë nga Blaise Francis, një avokat, i cili merret për bamirësi me raste të racizmit. Videoja e tij tregon se si disa nëpunës policie mbajnë një person të arrestuar në tokë. Pak pas kësaj, një polic qëllon me shqelm në nivelin e kokës në drejtim të personit të shtrirë në tokë. Një oficer tjetër, sipas një njoftimi për shtyp nga policia e Frankfurtit, shefi i operacioneve, ndërhyn dhe e tërheq policin. Ai thuhet se e ka raportuar incidentin brenda institucionit më vonë. Prokuroria publike e Frankfurtit thuhet se është në dijeni të incidentit.
Njoftimi për shtyp i policisë së Frankfurtit flet për një "përdorim të papranueshëm të forcës nga policët kundër dorasit të dyshuar të shtrirë në tokë". Nga Hanoveri dhe Hamburgu ka video të tjera të operacioneve policore në të cilat të arrestuarit janë fiksuar ose kur persona pranë vendit të ngjarjes largohen nga policët, nganjëherë me sa duket më me forcë se sa është e nevojshme.
Zëra nga politika
Videot që dolën brenda pak ditësh kanë thirrur edhe politikën në skenë. Në Frankfurt partia "E Majta" e komentoi incidentin. "Nuk ka asnjë justifikim për shkelmimin e një personi që është shtrirë në tokë dhe është i fiksuar," tha Hermann Schaus, zëdhënësi i politikës së brendshme të partisë E Majta në parlamentin e landit të Hessenit.
Lidhur me misionin në Dyseldorf, ministri i Brendshëm i landit, Herbert Reul, tha se pamjet e incidentit gjithashtu e tronditën në fillim. Sidoqoftë, ai paralajmëroi që të mos kalohet në përfundime. "Unë nuk dua ta justifikoj operacionin të shtunën në mbrëmje në asnjë mënyrë, por gjithashtu nuk dua ta dënoj atë para kohe," tha Reul. Dhuna fizike nga punonjësit e policisë nuk është aspak e paligjshme në vetvete, siç besojnë disa, por shpesh është me vend, e lejueshme dhe e detyrueshme.
Zëdhënësja e politikës së Brendshme për Grupin Parlamentar Aleanca 90/Të Gjelbrit në Bundestag, Irene Mihalic, pajtohet pjesërisht, por ajo i thotë DW: "Ndërhyrja e ashpër dhe përdorimi i forcës mund të jetë e nevojshme kur e kërkon situata, por vetëm atëherë " Regjistrimet në video të operacionit policor në Düsseldorf tregonin përdorimin e një metode "e cila rrezikon shëndetin dhe jetën e të arrestuarit për arsye që nuk janë të dukshme për mua". Ky incident tani duhet të sqarohet me detaje.