1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vizitë nga Presheva në Berlin

25 Tetor 2019

Përveç Albin Kurtit për disa takime joformale, në Berlin ishte të mërkurën dhe të enjten dhe një delegacion nga Lugina e Preshevës

https://p.dw.com/p/3Rukc
Deutschland Berlin | Albanische Minderheit Südserbien - Shaip Kamberi, Ardita Sinani, Ragmi Mustafa
Shaip Kamberi, Ardita Sinani, Ragmi Mustafa (PVD) në BerlinFotografi: PVD

Ende pa eskortë policore erdhi fituesi i zgjedhjeve parlamentare të Kosovës, Albin Kurti, në Berlin. Politikani ende në pritje për t'u bërë kryeministër i Kosovës dhe që me humor e quan situatën e tij aktuale në prag të negociatave për qeverinë e re, "potencialitet pa aktualitet", i tha Deutsche Welles, se kishte ardhur "për t'iu falënderuar partnerëve gjermanë të partisë socialdemokrate për mbështetjen që i dhanë në fushatë" dhe për disa konsultime me funksionarë të lartë të qeverisë gjermane.

Një nga temat kryesore të  bisedave të tij në zyrën e Kancelares Merkel, me këshilltarin e  Sigurisë, Jan Hecker, dhe në  Ministrinë e Punëve të Jashtme me drejtorin politik, Jens Plötner, ishte dialogu me Serbinë, siç raportoi Kurti vetë pas takimeve në media sociale.

Dialogu ishte edhe tema e bisedave që zhvilloi një delegacion tjetër shqiptarësh në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Berlin, disa kate më poshtë se Kurti. Delegacioni nga Partia e Veprimit Demokratik (PVD) të Luginës së Preshevës, i përbërë nga Shaip Kamberi, kryetar i komunës së Bujanovcit, Ragmi Mustafa, kryetari i Këshillit të Shqiptarëve në Serbi dhe Ardita Sinani, nënkryetarja e PVD-së në Preshevë, kishte ardhur për të lobuar te qeveria gjermane për përfshirjen e pakicës shqiptare në dialogun Kosovë-Serbi.

Serbien Flüchtlinge auf der Westbalkanroute
Pamje nga PreshevaFotografi: DW/D. Cupolo

Ende të diskriminuar

"Procesi i integrimit të Serbisë në BE është tepër i ngadalshëm, prandaj ne mendojmë se problemet tona mund të zgjidhen më së miri në kuadër të bisedimeve Kosovë-Serbi", i tha Shaip Kamberi, Deutsche Welles në përfundim të takimit në Ministrinë e Punëve  të Jashtme të Gjermanisë. Kamberi tha se përfshirja e çështjes së shqiptarëve të Preshevës në dialogun Serbi-Kosovë "mund të jetë më e shpejtë dhe më efikase për të përmirësuar pozitën e shqiptarëve atje, sepse në të kundërtën, problemet ekzistuese po ndikojnë që largimi në masë i popullsisë shqiptare nga ai rajon ta dëmtojë rëndë kombësinë shqiptare."

Gati dy dekada po mbushen që nga konflikti i fundit i armatosur në Luginën e Preshevës në vitin 2001 dhe Shqiptarët e ndiejnë veten ende të diskriminuar. Tre marrëveshjet e nënshkruara deri tani mes përfaqësuesve të pakicës shqiptare dhe qeverisë së Beogradit (2001, 2009, 2013), që synonin zhvillimin ekonomik të rajonit dhe integrimin e plotë të shqiptarëve në strukturat shtetërore, kanë mbetur ende në letër dhe nuk janë implementuar.

Ardita Sinani, ish-kryetare e komunës së Preshevës, shpjegon se shqiptarëve u mohohet e drejta për t'u punësuar në organet shtetërore, sepse nuk u njihen diplomat e marra në universitetet shqiptare në rajon. "Edhe pjesëmarrja proporcionale në administratën shtetërore, e garantuar me ligj, nuk respektohet, çka bën që Lugina e Preshevës të braktiset nga të rinjtë", ankohet nënkryetarja e PVD-së,  Delegacioni pati edhe një takim në Ministrinë e Zhvillimit dhe Bashkëpunimit Ekonomik të Gjermanisë për të sensibilizuar për investime gjermane në Luginën e Preshevës.

Bashkimi zgjidhja e fundit për shqiptarët e Preshevës

Në vitin 2018, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, filloi t'u ngjallte shqiptarëve të Serbisë shpresën për bashkimin me Kosovën. "Për ne ka qenë një tundim dhe mbetet ende ëndrra jonë më e madhe", pranon Shaip Kamberi. "Nëse lufta jonë politike nuk sjell rezultat, atëherë ideja e bashkimit shihet të jetë e vetmja zgjidhje që i eleminon këto probleme." 

Hashim Thaci
Fotografi: picture-alliance/AA/D. Aydemir

Dialogu Serbi-Kosovë për momentin ka ngecur për shumë arsye të  ndryshimit të Komisionit të BE-së dhe zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë dhe pritet të zvarritet deri pas zgjedhjeve të reja në Serbi.  Albin Kurti, që pritet të jetë kryeministri i ri Kosovës, e ka theksuar vazhdimisht se nuk ka pse të ngutet për një proces që në fund mund t'i shërbejë vetëm Serbisë.  

Delegacioni i Luginës së Preshevës nuk  arriti ta takonte Albin Kurtin, megjithëse ata u ndodhën në të njëjtën kohë në Berlin. Por Kamberi është optimist se Albin Kurti, i cili edhe më parë vazhdimisht i ka mëshuar më shumë identitetit kombëtar shqiptar se atij te shtetit të Kosovës, do t'i  mbështesë kërkesat e tyre.