Putini kërcënon me armë atomike: Sa serioze është gjendja?
3 Mars 2022Mes lajmeve për luftimet në Ukrainë, refugjatët në kufirin perëndimor të vendit dhe sulmeve ruse ndaj Kievit, presidenti rus Vladimir Putin lëshoi ditën e dielë (27.02) një deklaratë që shkaktoi frikë në të gjithë botën: "Unë udhëzoj ministrin e Mbrojtjes dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm që të vendosin në gjendje të gatishmërisë së posaçme forcat frenuese të ushtrisë ruse", tha Putini në një bisedë me përfaqësues ushtarakë të rangjeve të larta, e cila u transmetua në televizion.
Enigmë në strategjinë e Putinit për luftën
"Forcat frenuese", për të cilat flet presidenti rus, përfshijnë edhe forcat atomike dhe kjo shkakton shqetësim për një përshkallëzim të mundshëm të luftës në Ukrainë. Një zyrtar i lartë i Ministrisë amerikane të Mbrojtjes tha ditën e dielë (27.02) në një konferencë shtypi, se përmendja e aftësive nukleare nga Putini është "jo vetëm një hap i panevojshëm, por edhe një hap që e përshkallëzon situatën". Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e quajti "të papërgjegjshme" deklaratën e presidentit rus dhe tha për televizionin amerikan CNN se kjo është "retorikë e rrezikshme".
Cilat ndryshime do të sjellë konkretisht kjo gjë në strategjinë e Rusisë për luftën, është enigmë edhe për vetë ekspertët : "Është ende e paqartë çfarë do të thotë gatishmëri e lartë", shkruan në një E-mail për Deutsche Wellen, Hans Kristensen, drejtor i projektit për informacionet nukleare në Federation of American Scientists. "Ka spekullime që thonë, se rritja e gatishmërisë së sistemit të komandimit dhe kontrollit të armëve bërthamore bëhet për t'u përgatitur më mirë për transmetimin e një urdhëri për hapje zjarri. Ka edhe që thonë se ka të bëjë me rritjen e aktiviteteve të nëndetëseve me raketa, por nuk është e qartë nëse kjo gjë e kapërcen gjendjen normale."
Arsenali më i madh atomik në botë
Sipas burimeve të ndryshme, Rusia ka pasur në vitin 2021 mbi 6257 armë bërthamore, duke qenë kështu vendi me arsenalin më të madh të armëve atomike në botë, pasuar nga SHBA që ka pasur në vitin 2021 mbi 5500 armë bërthamore.
1760 armë bërthamore ruse janë nxjerrë nga funksioni dhe presin që të çmontohen, thotë Arms Control Association, një organizatë e pavarur me qendër në SHBA. Kështu Moska ka mbi 4497 armë bërthamore aktive. Ato nuk janë të gjitha të gatshme për t'u përdorur direkt, pra nuk ndodhen në pozicion qitjeje, ku mund të qëllojnë brenda një minute, nëse qeveria jep urdhër për sulm bërthamor.
Në shtator 2021, Rusia kishte 1458 armë bërthamore të vendosura në raketa ndërkontinentale, raketa balistike që mbështeten në nëndetëse dhe në bombardues strategjikë. Këto janë shifrat aktuale të vëna në dispozicion në kuadër të marrëveshjes New START, marrëveshjes midis SHBA dhe Rusisë për reduktimin e armëve bërthamore. Në kuadër të marrëveshjes bëhet çdo gjashtë muaj publikimi i të dhënave aktuale për armët bërthamore. Të gjitha armët atomike të Moskës janë stacionuar në Rusi, shkruan Kristensen.
Por nëndetëse me armë bërthamore në bord dalin me raste për të patrulluar në ujërat ndërkombëtare, gjë që „është normale dhe që bëhet edhe nga fuqitë perëndimore atomike", thotë eksperti.
Përplasje midis NATO dhe Rusisë?
Kremlini deklaroi, se rritja e gatishmërisë së forcave atomike është reagim ndaj deklarateve të perëndimit për konfrontime të mundshme midis ushtarëve rus dhe trupave të NATO-s. "Ka pasur deklarata nga përfaqësues të ndryshëm në nivele të ndryshme për konfrontime të mundshme ose madje përplasje midis NATO-s dhe Rusisë," tha të hënën (27.02) zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov në një konferencë shtypi. "Ne mendojmë se deklarata të tilla janë absolutisht të papranueshme".
E paqartë është se cilat deklarata ka Peskov parasysh. Një politikane perëndimore që ai përmendi direkt ishte ministrja britanike e Jashtme, Liz Truss. Por as Truss as ndonjë përfaqësues tjetër i Perëndimit nuk ka folur për ndonjë sulm të NATO-s ndaj trupave ruse.
Ekspertët mendojnë se Putini do që t`i kujtojë botës se Rusia është forcë atomike, me të cilën nuk duhen krijuar probleme. Deklaratat e tij pasuan pak kohë pas vendosjes së sanksioneve të ashpra ekonomike kundër Rusisë nga BE dhe SHBA, sanksione që nuk janë vendosur ndonjëherë deri tani ndaj këtij vendi. "Putini vepron mbase për të trembur Perëndimin, në mënyrë që ky t`i bëjë lëshime", shkruan Kristensen. "Kjo është një politikë e guximshme tipike për të".
Reagim për shkak të mungesës së suksesit?
Ky hap mund të jetë motivuar edhe nga mungesa e suksesit ushtarak gjatë pushtimit të deritanishëm të Ukrainës, thotë Marc Finaud, ekspert për kontrollin e armëve në Centre for Security Policy, një fondacion ndërkombëtar me seli në Zvicër: "Situata ushtarake në Ukrainë nuk është aq e qartë, sa e paramendonte Putini," thotë Finaud për DW. "Kjo mund të jetë arsyeja pse presidenti rus e ka pasur të nevojshme që të përmendë forcën e armëve atomike të vendit të tij."
Cilado që të ketë qenë arsyeja e Putinit për të thënë ato fjalë, thotë Ben Hodges, një gjeneral në pension i ushtrisë amerikane, që ka shërbyer si komandant i forcave amerikane në Europë, retorika përshkallëzuese e Putinit nuk të çudit: "Natyrisht që atij nuk i kushton asgjë kërcënimi me armë atomike", thotë Hodges për DW. Një sulm i vërtetë atomik është histori tjetër. "Nëse do të hidhnin hapin e tmerrshëm të përdorimit të një arme atomike, pavarësisht sa të madhe apo të vogël, kjo do t'i kushtonte shumë Putinit dhe Rusisë."
Armët atomike strategjike me rreze të gjatë veprimi të Rusisë mund të arrijnë në çdo pikë të botës, shkruan Kristensen. Por një sulm atomik i Rusisë do të kishte me shumë siguri një kundërgoditje të SHBA ose të një fuqie tjetër perëndimore atomike. Një luftë atomike që do pasonte do të kishte pasoja katastrofike për shumë më tepër vende se sa dy vendet pjesëmarrëse.
Fuqia shpërthyese shumë më e madhe se ajo gjatë Luftës së dytë Botërore
Sipas të dhënave të Scientists for Global Responsibility (SGR), një organizate të pavarur me seli në Mbretërinë e Bashkuar, përdorimi i një rakete të vetme nukleare në një qytet do të mjaftonte ta bënte të pamundur ndihmën efektive mjekësore dhe humanitare. Shpërthimi i disa dhjetra apo qindra raketave, thotë SGR, do të çonte në zjarre të mëdha, „pjesëzat rezistente të të cilave do të ngjiteshin lart dhe do të ndikonin mbi klimën globale dhe do të shkatërronin bujqësinë në shkallë të gjerë dhe do të shkaktonin uri".
Armët atomike moderne janë shumë më të afta se dy bombat atomike që SHBA hodhi në Luftën e Dytë mbi qytetet japoneze Hiroshima dhe Nagasaki. Ato kishin forcë shpërthyese sa 15 dhe 20 kiloton TNT. Sipas fushatës ndërkombëtare për mënjanimin e armëve atomike, e cila morri Çmimin Nobel të paqes në vitin 2017, armët e sotme atomike të Rusisë dhe SHBA kanë forcë shpërthyese që është të paktën sa 100 kiloton TNT.
Katër rastet ku Rusia mund të përdorë armë atomike
Fakti që Putini i vendos forcat atomike ruse "në një modus të veçantë të ndërhyrjes luftarake", nuk shihet si hapi i fundit që hidhet para shpërthimit të një lufte atomike. Doktrina atomike ruse, e konfirmuar vetë nga Putini më 2020, thotë se Rusia do të përdorte armët atomike vetëm në katër raste: nëse raketat balistike do të godisnin Rusinë ose territoret e një vendi aleat, nëse një armik do të përdorte armët atomike, si reagim ndaj një sulmi mbi impiantet ruse të armëve atomike, ose si reagim ndaj një sulmi që do të rrezikonte ekzistencën e shtetit rus. Asnjëra nga këto raste nuk shfaqet në rastin e luftës me Ukrainën.
"Nëse [Putini] do të planifikonte vërtet një sulm atomik, ne me siguri do të shihnim zhvendosjen brenda vendit të raketave mobile dhe nxjerrjen në det të nëndetëseve. Përveç kësaj do pajiseshin avionët luftarakë dhe nuk do viheshin në aktivitet forcat nukleare jo strategjike", shkruan Kristensen. "Një sulm i tillë është krejt i pamundur. Nëse Rusia dhe NATO do të gjendeshin në një konfrontim ushtarak direkt dhe Rusia do të ishte duke humbur, atëherë puna do të ishte ndryshe."
Një sulm atomik ndaj Ukrainës, një vendi që nuk është anëtar i NATO-s, dhe që nuk zotëron armë atomike, shihet nga ekspertët si jo realist. „Një sulm i tillë nuk do të kishte kuptim," thekson Finaud. "Nëse qëllimi është që të merret Ukraina, Rusia nuk do donte të pushtonte një mal me mbeturina radioaktive."
Ku do jetë fundi për Putinin?
Edhe ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht e quajti ditën e hënë në Deutschlandfunk deklaratën e Putinit si gjest kërcënues: "Megjithatë: Ne e kemi parë sa i paparashikueshëm është Putini, prandaj duhet të jemi tani shumë vigjilentë.”
Eksperti për kontrollin e armëve, Finaud tregohet i kënaqur që si kundërpërgjigje SHBA nuk e rriti gatishmërinë. Një reaksion "mjaft i moderuar" tregon si mund të pengohen shkallëzimet e mëtejshme. Finaud paralajmëron njëkohësisht se përdorimi i armëve atomike nuk duhet parë si kërcënim të cilin Putini nuk do e vinte kurrë në jetë: „Ne kemi parë se si Putini e kapërceu brenda disa ditësh kufirin për shumë gjëra. Në secilën nga herët ne mendonim se ai nuk do të shkonte më tej sepse kjo nuk do të ishte në interesin kombëtar të Rusisë. Por në secilën herë ai shkoi më tej."