Volkswagen: E vërteta në bagazh
8 Tetor 2015Ndonjëherë gjërat e mëdha shkaktohen prej gjërash të vogla. Skandali i miliona makinave të manipuluara të firmës Volkswagen është një rast i tillë. Mashtrimin nuk e zbuluan autoritetet mjedisore, por një ekip i vogël kërkimor në Universitetin West Virginia në Morgantown.
Daniel Carder, drejtor i Qendrës për lëndë djegëse alternative, motorë dhe emetimin (CAFEE) bashkë me ekipin e tij të vogël të përbërë nga tetë inxhienirë dhe teknikë, nëntë profesorë dhe 30 studentë analizojnë tipat e ndryshme të motorëve të makinave. Në laborator ndjehet era e gazrave.
Laboratori i tij, i themeluar në vitin 1989, nuk ka buxhet fiks dhe varet prej porosive të ministrive apo të sipërmarrjeve industriale. Më 15 maj 2014 Carder dhe katër kolegë të tij botuan raportin "In-Use Emissions Testing of Light-Duty Diesel Vehicles in the United States". Aty ata konstatonin se dy automjete të markës Volkswagen (VW) dhe një i markës BMW që kishin analizuar, emetonin gazra të dëmshëm për klimën.
Manipulimi dhe e vërteta
Ky konstatim ishte i rastësishëm, sepse qëllimi i analizave qe për të krahasuar nivelin e emetimit të gazrave të dëmshme të automjeteve që prodhohen në SHBA. Por pasi Zyra Amerikane për Mbrojtjen e Ambjetit EPA u informua për rezultatet e testimit ajo filloi hetimet e saj që rezultuan me skandalin e mashtrimit nga ana e VW-së.
Fakti që kaluan thuajse dy vjet deri sa EPA kërkoi marrjen e masave ndëshkimore lidhet me arsyen se Volkswagen kishte njoftuar në dhjetor 2014 EPA-n se automjetet ku është konstatuar problemi janë tërhequr nga qarkullimi dhe se problemi është mënjanuar. Por pesë muaj më pas autoritetet amerikane konstatuan se ende automjetet e fimës Volkswagen lëshonin gazra mbi vlerat e lejuara.
Se pse VW nuk e përdori mundësinë për të hequr dorë nga manipulimet dhe për të shmangur skandalin e madh - është për studiuesit misteri më i madh. "Kjo është krejtësisht e pakuptueshme", thotë John German. VW u përpoq edhe më tej për ta mbuluar atë edhe pse prej kolegut të tij, Dan Carter Volkswagen kërkoi madje detajet e testeve.
Më strikt se në Evropë
Autoritetet amerikane të mbrojtjes së ambjetit reaguan pas skandalit dhe njoftuan se do të kryejnë kontrolle më të rrepta. Tani është e qartë se manipulimet nuk kanë ndodhur vetëm në SHBA, por prej tyre janë të prekura rreth 11 milionë automjete të markës Volkswagen në të gjithë botën. Fakti që skandali u zbulua në SHBA nuk e habit John German. Që prej vitit 1975 në SHBA ekzistojnë nivele më të rrepta për gazrat e dëmshëm se në Evropë dhe Ligji për Ajrin e Pastër (Clean Air Act) u jep zyrave si EPA të drejtën të dënojnë me gjoba të larta prodhuesit e automobilëve. Në rastin e VW pritet një gjobë prej rreth 18 miliardë dollarë. Autoritetet e ngjashme në Evropë nuk kanë të drejta për të marrë masa të tilla.