1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Von der Leyen: Premtime të bukura por asnjë mesazh të qartë

1 Tetor 2021

Në prag të samitit për Ballkanin javën e ardhshme Presidentja e Komisionit të BE-së zhvilloi një tur vizitash në rajon. Bisedime konkrete anëtarësimi ende nuk po duken në horizont.

https://p.dw.com/p/417OE
Symbolbild Westbalkan Flaggen (mit EU)
Fotografi: picture-alliance/Photoshot/Qian Yi

Gjashtë vende në tri ditë: Me turin e vizitave në vendet e Ballkanit Perëndimor, që duan të gjithë të anëtarësohen në BE, presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen përgatiti samitin e BE-së me vendet e Ballkanit. Më 6.10.2021 nën presidencën sllovene samiti zhvillohet në Brdo të Ljubljanës. Mesazhi i BE-së në këtë tur vizitash në të gjitha stacionet ishte i njëjti: merruni vesh me njeri-tjetrin, përpiquni edhe më tej, kini durim. Ursula von der Leyen i siguroi të gjithë presidentët dhe kryeministrat, që takoi se: Ne ju duam juve në BE. Unë angazhohem personalisht për këtë."

Albanien Tirana | Ursula von der Leyen und Edi Rama
Fotografi: Franc Zhurda/AP/picture alliance

Ju lutem durim

Fjalët inkurajuese janë të nevojshme, sepse procesi i anëtarësimit po shtyhet prej vitesh, ndonëse p.sh. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ndërkohë kanë marrë premtimin që në vitin 2019. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama zhgënjimin e shprehu përmbledhtas në mënyrë figurative: "Ne ndihemi si në një dasmë, ku nusja është zbukuruar, por dasmorët nuk janë ftuar." Shqipëria ndihet si „peng" i grindjes mes vendit anëtar të BE-së Bullgarisë dhe vendit kandidat Maqedonisë së Veriut. Bullgaria bllokon bisedimet e anëtarësimit, sepse Maqedonia e Veriut rrezikon identitetin bullgar dhe gjuhën. Për këtë grindje shumica e vendeve të BE-së nuk kanë mirëkuptim. Qeveria gjermane në qershor zyrtarisht i kërkoi Bullgarisë, që të tërheqë veton kundër hapjes së negociatave me Shkupin.

Nord-Mazedonien Skopje | Ursula von der Leyen und Zoran Zaev
Fotografi: Boris Grdanoski/AP/picture alliance

Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, sërish vuri në dukje qendrimin e formuluar qartazi nga Komisioni për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë: "Ju i keni përmbushur kushtet dhe e keni bërë punën tuaj", tha ajo si në Shkup edhe në Tiranë. Zoran Zaev, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, theksoi atë që e përsërisin prej vitesh shumë politikanë të BE-së, se kemi të bëjmë me besueshmërinë e Unionit Europian. BE më në fund duhet t'u përmbahet premtimeve. Ursula von der Leyen i kaloi me buzëqeshje kritikat gjatë një konference të përbashkët shtypi në një qendër rinore të rinovuar me financimin e BE-së. Një recetë konkrete, se si mund të ndryshojë qendrim Bullgaria, ajo nuk mundi të ofrojë. Në të gjitha stacionet e turit të saj ajo preferoi të theksojë ndihmat financiare, që BE-ja ka vënë në dispozicion për Ballkanin për ripërtëritjen pas pandemisë së koronavirusit. Krahas ndihmave afatshkurtra për fushatat e vaksinimit në vitet e ardhshme do të lëvrohen gati 30 miliardë Euro për investime strategjike në rajon.

Zgjidhet grindja për targat në Kosovë

Vizitat e von der Leyen në Serbi dhe Kosovë u zhvilluan nën hijen e shkallëzimit të konfliktit ditët e fundit mes Serbisë dhe Kosovës për çështjen e targave. Por gjatë kohës që presidentja e Komisionit ndodhej në Prishitnë dhe në Nish, delegacionet e të dyja palëve zhvillonin bisedime në Bruksel, ku arritën të gjejnë një zgjidhje.Të enjten (30.09) erdhi lajmi nga Brukseli se është arritur një marrëveshje për çështjen e targave. Të paktën përkohësisht, sepse bisedimet duhet të vazhdojnë. "Eshtë me rëndësi jetike që Serbia dhe Kosova të normalizojnë raportet. Jam shumë e shqetësuar për shkak të konfliktit aktual. Eshtë e nevojshme që patjetër situata të çtensionohet", i tha von der Leyen kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ata parimisht e miratuan këtë, por nuk lanë të kuptohet, nëse dhe kur do të bëjnë lëshime. Problemi thelbësor nuk është zgjidhur: mosnjohja e Kosovës si shtet nga Serbia, por edhe nga pesë vende anëtare të BE-së. Një zgjidhje për këtë problem ende nuk ka.

Kosovo EU Ursula von der Leyen Vjosa Osmani
Fotografi: Office of the Kosovo presidency

E pyetur nga reporterët në konferencë shtypi në Prishtinë presidentja e Komisionit të BE-së tha, se duhet ndjekur edhe më tej si „ëndërr" anëtarësimi i Kosovës në BE. „Eshtë e arsyeshme, e nevojshme dhe bukur të kesh ëndrra", u shpreh me zbukurime Ursula von der Leyen. Në samitin e Brdos javën e ardhëshme duhet të bëhen përpjekjet për të krijuar një bazë të besimit dhe miqësisë. "Ballkani është në anën tonë. Kjo është një ëndërr, për të cilën ia vlen të punosh", tha von der Leyen me fjalë të bukura por pa përmendur hapat konrektë.

Më shumë bashkëpunim

Serbien Belgrad | Ursula von der Leyen und Aleksandar Vucic
Fotografi: Serbian Presidential Press Service/AP/picture alliance

Në Serbi ajo vlerësoi përparimet e bëra. Bashkë me presidentin Aleksandar Vuçiq ajo nënshkroi një marrëveshje të re për zgjerimin e lidhjeve hekurudhore në rajon, linja që një ditë do të çojnë nga Selaniku në Salcburg. BE-ja financon një pjesë të mirë të ndërtimit të hekurudhave me dy drejtime si dhe të elektrifikimit të këtyre linjave. Vuçiq shprehu mirënjohje për këtë mbështetje. Von der Leyen theksonte vazhdimisht, se Serbia duhet të jetë në BE. Vuçiq shprehimisht e mbështet ndërtimin e së ashtuquajturës „autostrada e paqes" mes Nishit dhe Prishtinës. Ai tha se është i nevojshëm çtensionimi në konfliktin me Kosovën. Presidentja e Komisionit e ritheksoi apelin e saj në adresë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, që të bashkëpunojnë më shumë mes tyre e madje përpara se të hyjnë në BE apo të nisin bisedimet e anëtarësimit. Bashkëpunimi ekonomik, heqja e doganave dhe heqja e vizave janë të mundshme. Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë bashkuar në nismën „Open Balkan" – ku duhej të përfshihen edhe tre vendet e tjera Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova.

Probleme brenda BE-së

Presidentja e Komisionit të BE-së nuk përmendi – të paktën jo në publik – rezervat që ka jo vetëm Bullgaria, por edhe shtete të tjera të BE-së kundër hapjes së negociatave të antarësimit. Franca dhe Holanda vazhdojnë të jenë kritike ndaj kandidaturës së Shqipërisë. Parlamenti i Holandës i ka shmangur pengesat, por qeveria në detyrë në Hagë ende ngurron.

Disa vende anëtare, ndër to edhe Gjermania, në bisedime të brendshme kanë vënë në pikëpyetje lëvizjen pa viza nga vendet e Ballkanit për në BE. Kjo sepse shumë azilkërkues nga këto vende aplikojnë për qendrim në Euorpën Perëndimore. Vendet e origjinës nuk janë të gatshëm t'i pranojnë azilkërkuesit e refuzuar. Gjermania i ka kërkuar Komisionit të BE-së, që të mendojë për një klauzolë, që do të mundësonte shfuqizimin përkohësisht të qarkullimit pa viza. Lidhur me të tilla dokumente të brendshme informon platforma e internetit në Bruksel "EU Observer". Edhe për këto çështje do të diskutohet në samitin e Brdos të mërkurën (6.10).

 

Bernd Riegert, me kostum dhe kravatë të kuqe, me kostum blu dhe këmishë bojëqielli.
Bernd Riegert Korrespondent nga Brukseli, me fokus te njerëzit, ngjarjet dhe politikat në BE