1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vrasja e gazetarit sllovak - Rikonstruktimi

13 Tetor 2018

Muaj të tërë pati dyshime, nëse vrasja e gazetarit investigativ sllovak, Jan Kuciak do të mund të zbardhej ndonjëherë. Tani së paku ka një rikonstruktim të detajuar të krimit dhe tregues për porositësin e vrasjes.

https://p.dw.com/p/36S47
Journalisten in Mittel- und Osteuropa | Jan Kuciak (Slowakei)
Fotografi: Getty Images/AFP/Simicek

Në Sllovaki dy dekadat e fundit shumë vrasje me sfond politik ose nga skena e kriminalitetit të organizuar kanë mbetur të pa zbardhura – kryesisht edhe sepse politika e lartë dhe policia duket të kenë qenë në ndonjë farë mënyre të pështjelluara në to. Kjo përvojë bëri që shumë gazetarë të arrijnë në konkluzione, se vrasja e kolegut të tyre, reporterit investigativ Jan Kuciak, dhe të fejuarës së tij Martina Kusnirova nuk do të zbardhej kurrë.

Ndërsa tani po duket, se ata nuk kanë pasur të drejtë në gjykimin e tyre, për fat të mirë. Organizimi dhe rrjedha e aktit të vrasjes janë rikonstrukturar prej hetuesve në detaje, e madhe ka edhe indikatorë për porositësin. Një "surprizë pozitive" e quan këtë zhvillim një ndër kolegët më me reputacion të Kuciak-ut, gazetari investigativ Arpad Soltesz.

Rikonstruktimi i anonimizuar

Pas një kërkesë për informacion nga gazeta e përditshme Sme Gjykata speciale Penale  e Sllovakisë (STS) këtë javë publikoi një dokument të anonimizuar, në të cilin përshkruhen me detaje organizimi dhe rrjedha e vrasjes. Se cilët persona nënkuptohen, është e lehtë të lexohet. Rikonstruktimi i aktit bazohet në pjesën më të madhe tek dëshmitë e një të dyshuari, i cili u arrestua para dy javësh në Jug të Sllovakisë: Zoltan A., sipas të dhënave është deri tani i vetmi që ka qenë i gatshëm të dëshmojë. Tre të tjerët, Tomas Sz., Miroslav M. dhe Alena Zs. me sa duket deri tani kanë refuzuar të deponojnë.

Slowakai Demonstration
Fotografi: Getty Images/AFP//V. Simicek

Sipas protokollit në fund të vitit 2017 u porosit për vrasjen Alena Zs. Asokohe gruaja biznesmene me prejardhje nga qyteti jugor i Sllovakisë, Komarno u takua me të njohurin e saj Zoltan A. dhe i dha atij një telefon celular me një sërë fotografish të Jan Kuciak si dhe të dhënat përkatëse për adresën e banimit dhe vendin e punës së gazetarit. Zoltan A. porositi nga ana e tij ish nëpunësin e policisë dhe personin e një shërbimi privat sigurie Tomas Sz. nga Kolarovo që të kryente vrasjen. Për vrasjen Alena Zs. ofronte 50.000 Euro në dorë si dhe shlyerjen e borxheve në vlerën e 20.000 Eurove që kishte Zoltan A.

Tomas Sz., i cili asokohe menaxhonte një dyqan me ushqime, dinte të përdorte armën, sepse kishte kryer një kualifikim profesional tek një firmë private sigurie dhe punonte për të në Poloni po ashtu kishte punuar si mbrojtës objektesh dhe personash. Si shofer dhe bashkëpunëtor Tomas Sz. zgjodhi kushëririn e tij Miroslav M.

Të dy që nga 5 shkurti i këtij viti e patën mbikqyrur lagjen ku banonte Kuciak, fshatin Velka Maca 60 km në veri-lindje të Bratislavës të paktën shtatë herë. Në ditën e vrasjes me 21 shkurt, Tomas Sz. hyri në shtëpinë e Kuciak dhe të fejuarës së tij nga dera që kishte qenë e hapur dhe e ka pritur aty gazetarin. Vrasja e së fejuarës së tij fillimisht nuk ishte planifikuar, megjtihatë Tomas Sz. e qëlloi atë, sepse në rast të kundërt ajo do të kishte qenë dëshmitare. Sz. e vrau Kuciak-un me dy të shtëna në kraharor, të fejuarën e tij me një të shtënë në kokë. Martina Kusnirova vdiq në vend, Kuciak jetoi po u përgjak. Se sa ka zgjatur lufta e tij me vdekjen, kjo mbetet e hapur në protokoll. Deri tani arma e krimit nuk është gjetur, por policia gjatë kontrollit të shtëpisë së Tomas Sz.s ka gjetur municionin 9mm Luger, që është identik me municionin e vrasjes.

Slowakei | Präsident Andrej Kiska
Presidenti sllovak, Andrej Kiska kërkon forcimin e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë dhe policisëFotografi: DW/A. de Loore

Fije të pazbuluara

Pas vrasjes Tomas Sz. dhe Miroslav M shkuan tek Zoltan A. në Komarom dhe morën në dorë shumën e premtuar prej 50.000 Eurosh. Të nesërmen Zoltan A. nga ana e tij njoftoi Alena Zs., se edhe e fejuara e Kuciak-ut është vrarë. sipas protokollit ajo ka reaguar me zë të lartë, mjaft e nervozuar dhe e indinjuar për këtë.

Pasi Tomas Sz. dhe Miroslav M. u ndërgjegjësuan për rezonancën e jashtëzakonshme të aktit të vrasjes me bërjen publike të saj, ata kërkuan edhe më shumë para, kërkesë që  Alena Zs. e ka plotësuar. Një shumë e saktë nuk përmendet në protokoll. Sipas hetuesve Alena Zs. nuk ka ndonjë motiv, sepse ajo nuk e njihte Kuciak-un dhe emri i saj nuk shfaqet në dokumentat e tij, për këtë arsye ndoshta ajo ka qenë ndërmjetësuese e porositjes së vrasjes. E dyshimtë në këtë kontekst sipas policisë është, që aktualisht Alena Zs. nuk ka qenë e angazhuar me punë, por megjithatë ajo bënte një jetë luksoze dhe gjatë arrestimit policia i ka gjetur 23.000 Euro në dorë.

Dokumenti nuk përmend ndonjë emër për porositësin e vrasjes, i cili mund të ketë pasur një motiv. Megjithatë sipas indikatorëve të bërë publikë ai mund të jetë biznesmeni i diskutueshëm Marian Kocner, i cili në vjeshtën e vitit 2017 e ka kërcënuar qëllimisht gjatë një telefonate Kuciak-un. Kocner është i involvuar në një sërë aktivitetesh kriminale, por deri tani ka mbetur i patrazuar për shkak të lidhjeve të tij të mira me qarqet e policisë dhe të drejtësisë. Ai është nuni i vajzës së Alena Zs.. Fotografitë, që u publikuan këtë javë, tregojnë atë gjatë një takimi me Alena Zs. në fund të këtij viti. Kocner, i cili ndodhet në arrest hetimor që nga qershori i këtij viti për krime mashtrimi, i ka hedhur poshtë këto akuza dhe pretendon, se nuk e njeh Alena Zs.

Rikonstruktimi i vrasjes së Kuciak-ut dhe të fejuarës së tij mund të nxisë një kthesë në punën e policisë dhe të autoriteteve të drejtësisë në Sllovaki. Sipas mendimit të shumë kolegëve të Kuciak kryesisht në radhët e nëpunësve të thjeshtë dhe të mesëm të policisë prej kohësh gëlon fuqishëm zemërata, sepse shumë janë të zhgënjyer prej influencës politike ndaj shumë rasteve të kriminalitetit.

Këtë temë e trajtoi gjatë javës edhe presidenti sllovak, Andrej Kiska. Eshtë jashtëzakonisht e rëndësishme, që policëve, hetuesve dhe prokurorëve të ndershëm t'u jepet dorë e lirë nga drejtuesit e policisë dhe Ministria e Brendëshme që të kryejnë punën e tyre, tërhoqi vëmendjen presidenti gjatë një veprimtarie të një njësie të anti-terrorit të Ministrisë së Brendëshme. "Ne duhet ta kthejmë policinë në një organ", tha  Kiska, "të cilit njerëzit të mund t'i besojnë."

 

Keno Verseck, flokë të shkurtra, të kuqërreme, me kaçurela, pas syzeve me skelet të hollë një shikim i buzëqeshur drejt objektivit të kamerës.
Keno Verseck Redaktor, autor dhe reporter