Kroacia bllokon Serbinë
13 Dhjetor 2016Vuçiqi do të bojkotojë ceremoninë e hapjes së kapitujve në negociatat për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, në qoftë se Kroacia vazhdon me bllokimin e hapjes së kapitullit 26 (për arsim dhe kulturë), njofton agjencia gjermane e lajmeve DPA. "Mjaft më me kushtëzime", tha Vuçiqi, i cili bëri të ditur se do të largohet nga Brukseli dhe do të kthehet në Beograd.
Zagrebi ka kërkuar përmirësimin e pozitës së minoritetit kroat në Serbi, në veçanti të lëndës mësimore në shkolla. Vuçiq e konfirmoi vendimin e tij pas takimit që zhvilloi me kreun e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini.
DPA njofton se kancelarja gjermane Angela Merkel në mënyrë indiskrete e ka "paralajmëruar" të hënën (11.12) kryeministrin e Kroacisë Andrej Plenkoviq, se çështjet bilaterale duhet të zgjidhen me marrëveshje bilaterale mes vendeve dhe jo në nivelin e BE-së. Kështu është shprehur Merkel në konferencën për shtyp, pas takimit në Berlin me kryeministrin kroat.
„Vuçiqi ka humbur nervat", e komentojnë mediat kroate sjelljen e kryeministrit serb në Bruksel, duke e quajtur atë si "hap të befasishëm", shkruan DPA. Të martën (13.12) në Bruksel, në kuadër të negociatave të Serbisë me BE-në do të duhej të hapen kapitujt 5 (furnizimet publike) dhe 25 (shkenca dhe hulumtimet). Ndërsa kapitulli 26 sipas të gjitha gjasave nuk do të hapet.
Vuçiqi ka deklaruar para disa ditësh se llogarit me futjen e "vendit të tij të varfër" në BE deri në vitin 2025. Agjencia DPA deri tani është e vetmja nga hapsirat gjermanofolëse, të cilat i kanë kushtuar vëmendje kësaj çështjeje.
bc/dpa