Ischinger përballet me akuza për përfitime personale
19 Shkurt 2022Ish-ambasadori dhe diplomati Wolfgang Ischinger, që kryeson prej 14 vjetësh Konferencën e Sigurisë së Mynihut, po përballet me akuza se e ka shfrytëzuar konferencën për përfitime financiare personale.
Revista „Spiegel“ shkruan duke u bazuar tek dokumentet konfidenciale se përmes firmës së tij të konsulencës Agora Strategy Group 75-vjeçari fiton para duke organizuar takime ndërmjetësimi për marrëveshje për shitje armësh dhe pajisjesh ushtarake në kuadrin e Konferencës së Sigurisë në Mynih si dhe përmes kontratave për shitjen e pajisjeve ushtarake dhe të armatimeve.
Honorari mujor 27,860 euro
Sipas dokumenteve konfidenciale Wolfgang Ischinger ka këshilluar p.sh. kompaninë e armatimeve Hensoldt. Tarifa e ndërmjetësimit ka qenë 27,860 euro në muaj.
Hensoldt prodhon pajisje elektronike për mbrojtje, si radarë për avionë luftarakë ose kamera vëzhgimi për dronë dhe firma e Ischingerit e ka ndihmuar për të arritur marrëveshje për shitjen e tyre në Arabinë Saudite, Egjipt apo Libi.
Konsulenca 600 euro/ora
Përveç tarifës bazë për shërbimet e konsulencës në vlerë 27,860 euro në muaj, për shërbimet shtesë Ischingeri faturon deri në 600 euro /ora. Në rast suksesi të ndërmjetësimit Agora ka kërkuar për lobimin edhe komisione “prej 0,8-1,6% të vëllimit të porosisë” për punën e lobimit.
Ischinger: Marr kompensim për shpenzimet, jo rrogë
Ish-diplomati, i cili e drejton për herë të fundit këtë konferencë, i hodhi poshtë akuzat duke i quajtur absurde. Ai këmbënguli gjatë një interviste se punon krejtësisht në mënyrë vullnetare dhe se merr vetëm kompensim për shpenzimet, por jo rrogë.