Wulff nën trysni edhe më të madhe pas akuzave të reja
22 Dhjetor 2011Presidenti gjerman, Christian Wulff, mbetet nën kritikë edhe për arsye të kredisë së tij private dhe të kontakteve të tij të ngushta me sipërmarrës. Pas publikimit të akuzave kreu i shtetit gjerman gjendet nën një trysni edhe më të madhe. Derisa politikanë të koalicionit qeveritar konservator-liberal i dhanë atij demonstrativisht mbështetje, opozita e akuzoi 52-vjeçarin se po e pranon të vërtetën vetëm copëza-copëza.
Sebastian Edathy, anëtar socialdemokrat në landin e Saksonisë së Ulët u shpreh:
"Problemi, që kam me sjelljen e zotit Wulff, është që ai në njëfarë mase lëshon përditë njoftime publike nëpërmjet avokatëve të tij. Kjo është shumë e pakënaqshme. Besoj se aktualisht kemi vështirësinë që zoti Wulff nënvlerëson plotësisht përmasat e çështjes."
Në fjalimin e tij për krishtlindjet Wulff nuk do t'u referohet me asnjë fjalë akuzave. Ai do të flasë për temat e solidaritetit dhe të përbashkësisë në shoqëri, si dhe për Evropën. Këtë thanë pjesëmarrës, që ishin të pranishëm në regjistrimin e fjalimit. Wulff shprehet gjithashtu kundër racizmit dhe bën thirrje për kozmopolitizëm.
Autor: dpa; E Ajazaj
Redaktoi: A Verbica