1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Xhami si vendstrehimi për hindutë dhe të krishterët - Komuniteti mysliman ndihmon viktimat në zonat indiane të katastrofës

Priya Eselborn2 Janar 2005

Disa qindra hindu dhe të krishterë janë strehuar ndërkohë në një xhami në afërsi të Çudallores në Jug të Indisë, që shtrihet rreth 200 km në Jug të qytetit disa milionësh Madras të shtetit federal Tamil Nadu. Fshatrat e peshkatarëve në këtë rajon janë prekur mjaft rëndë. Autoritetet llogarisin me reth 800 të vdekur dhe mbi 1000 njerëz konsideorhen të humbur. Komuna myslimane në Paringapetai ndihmon shpejt dhe pa burokraci.

https://p.dw.com/p/ArRC
Pamje nga rajoni i katastrofës në Madras
Pamje nga rajoni i katastrofës në MadrasFotografi: AP

Vetëm në kohën e faljes në Paringapetais, xhamia më e madhe shërben si një vend që tërheq popullsinë myslimane të kësaj zone. Por qysh nga 26 dhjetori këtu asgjë nuk është më si më parë: "Në fakt një xhami është vetëm një vend, ku falen myslimanët. Por tani në kohën e katastrofës së përmbytjeve kjo është shndërruar në një vendstrehimi për hindutë dhe të krishterët. Ne nuk kemi asnjë problem me këtë. Ndaj dhe e krijuam këtë ambjent si vendstrehimi për ta."

Kështu na shpjegon Bavajan, sekretari i komunitetit mysliman. Qysh nga e djela e javës së shkuar ai është në këmbë pothuajse 24 orë në ditë duke ndihmuar bashkë me mijëra vullnetarë që koordinojnë ndihmat në këtë komunë. Në fund të fundit të gjithë jemi vëllezër thotë ai. Por një shprehje e tillë nuk është kurdoherë e vetëkuptueshme në Indi, një vend që në të kaluarën ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen për trazirat e përgjakshme midis grupeve të besimeve të ndryshme fetare. Këtë e ka përjetuar edhe Muhamed Jonuz, president i komunës: "Brenda Indisë ka vazhdimisht grindje mes hinduve dhe myslimanëve. Por në fshatin tonë ne gjithmonë kemi dashur të bashkëjetojmë në paqe dhe kështu kemi bërë. Tek dëgjova për katastrofën, as që më shkoi mendja nëse bëhet fjalë për myslimanë apo hundi të prekur, mendova se duhet të veprojmë menjëherë dhe të kryejmë detyrën tonë."

Si president i komunës Jonuzi bashkë me 600 burra të tjerë me të dëgjuar lajmin për katastrofën u nis drejt rajonit bregdetar. Njërëzit ishin në panik, vraponin kuturru pa ditur ku të shkojnë duke dashur vetëm të largohen prej ujit. Jonuzi u kujdes që të plagosurit të dërgoheshin nëpër spitale duke marrë disa qindra të mbijetuar, kryesisht gra e fëmijë, të cilët i çoi në xhaminë që ndodhej më pranë. Për të tjerët ai organizoi ngritjen e kampeve të emergjencës, që furnizoheshin nga ekipet e shpëtimit që nga xhamija me mjetet më të nevojshme. Më e tmerrshmja gjatë ditëve të para për Junuzin ishte transprotimi i kufomave. Për këtë qeveria i vuri atij në dispozicion autobuzë. Mbi 50 kufoma transportoheshin me një autobuz, për t´u varrosur më pas sipas riteve të fesë përkatëse, edhe për këtë kujdesej vetë Junuzi. Për aq sa ishte e mundur hindutë digjeshin, ndërsa të krishterët varroseshin. Edhe në vdekje duhet treguar rrespekt për fenë dhe duhen ruajtur ritet, thotë Junuzi.

Në Paringapetais ndërkohë janë strehuar rreth 1.000 vetë. Brenda
është ngushtë dhe vapë. Por dyshemeja është e pastër dhe e shtruar me jorganë, tri herë në ditë ka gjellë të ngrohta. 24 kuzhinierë ka angazhuar komuna për rreth 9.000 njerëz, pra gatuhet edhe për të strehuarit nëpër kampe. Oriz, ujë i pastër, ushqim për fëmijë dhe ndërresa, rroba e batanije, gjërat më të domosdoshme i garantohen komunës prej qeverisë. Furnizimi rregullisht i të prekurve dhe mbërritja e ndihmave në duart e nevojtarëve, kjo është detyrë e komunës. Donacione prej myslimanëve mbërrijnë nga të gjitha anët e botës. Të mbijetuarit janë mirënjohës për këtë. Kështu edhe Kasamu, gruaja e një peshkatari, e cila me lot në sy tregon për ditën e tmerrshme të katatsrofës: "Papritur niveli i ujit u rrit, deri në 30 metra. Ne u larguam në panik. Më pas erdhën burrat myslimanë dhe na shpëtuan. Disa erdhën me makina, të tjerë na kanë mbajtur në krah dhe na larguan nga uji. Pa këtë ndihmë ne nuk do të ishim gjallë."

Fqinja e saj Arunmani shton: "Unë jam e lehtësuar dhe mirënjohëse. Ata po kujdesen për fëmijët e mi dhe po bëjnë kaq shumë për ne. Jam fatlume që munda të shpëtoj."

Ende nuk mund të parashikohet se edhe për sa kohë të mbijetuarit do të vazhdojnë të jenë nën varësinë e ndihmave të komunës myslimane. Por në xhami kushdo do të lejohet të qëndrojë derisa ta ndjejë veten në gjendje ta përballojë jetën me frocat e veta.