Zelensky falënderon Gjermaninë si "mikun e madh"
14 Maj 2023Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky theksoi gjatë qëndrimit në Berlin se Gjermania qëndron me vendosmëri në anën e popullit ukrainas në luftën për të mbrojtur lirinë dhe vlerat demokratike. Të dielën presidneti ukrainas u prit në Berlin nga homologu i tij gjerman Frank-Walter Steinmeier. Presidenti Zelensky falënderoi Steinmeierin për "mbështetjen e tij personale të Ukrainës" dhe popullin gjerman për "solidaritetin fantastik". Në gjermanisht, Zelensky në librin në kështjellen presidenciale në Berlin shkroi ndër tjerash: "Faleminderit Gjermani!", duke shtuar se "Gjermania është miku ynë i madh". Në fillim të luftës Ukraina dhe presidenti ukrainas kanë kritikuar Steinmeierin për qëndrimet e tij të mëparshme ndaj Rusisë dhe Ukrainës, por këto mosmarrëveshje janë tejkaluar ndërkohë në tërësi, që shihet edhe në përzemërsinë e dy presidentëve gjatë vizitës së parë të Zelenskyt në Berlin, prej fillimit të luftës.
Vizita e parë në Berlin
Presidenti ukrainas ka mbërritur në Gjermani një ditë më parë. Kjo është vizita e tij e parë në Gjermani që nga fillimi i luftës dhe agresionit rus kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Pas takimit me Steinmeier, ai u prit me nderime ushtarake edhe nga kancelari Olaf Scholz (SPD).
Të shtunën, qeveria federale njoftoi se ka miratuar një paketë armatimesh për Kievin me vlerë prej 2,7 miliardë eurotë tjera. Sipas Ministrisë Federale të Mbrojtjes, dërgesat e planifikuara me vlerë më shumë se 2.7 miliardë euro përfshijnë sisteme të mbrojtjes ajrore, tanke dhe municione. Zyrtarët e qeverisë ukrainase vlerësuan shumë këtë vendim. Zelensky foli për një "paketë të fuqishme".
Pasdite presidenti ukrainas dhe populli ukrainas u nderuan në Ahen me Çmimin ndërkombëtar Karli i Madh. Kancelari Scholz theksoi në fjalimin e tij se Ukraina dhe populli ukrainas, në krye me presidentin Zelensky janë duke sakrifikuar gjithçka që kanë për të mbrojtur vlerat demokratike dhe integritetin territorial nga agresioni brutal i Rusisë. Scholz premtoi vazhdimin e ndihmave të Gjermanisë për mbrojtjen e vendit. Nërsa presidenti urkainas në fjalimin e tij theksoi rolin e Gjermanisë në mbështetjen e vendit të tij në luftën kundër okupimit rus. Ai u shpreh i bindur se vendi i tij, me ndihmën e vendeve demokratike, do të rikthejë kontrollin dhe do të fitojë këtë luftë. Në Achen ishin edhe presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen dhe kryeministri polak Mateusz Morawiecki. Çmimi Karli i Madh jepet për meritat e mëdha në Evropë. Njëkohësisht në këtë qytet mbretëronin masa të jashtëzakonshme sigurie. Pas qëndrimit në Gjermani, presidenti Zelensky do të vazhdojë rrugën për vizitë në Francë.