1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zelli i qeverisë Renzi për reforma radikale në Itali

Johanna Schmeller 28 Shkurt 2014

Kryeministri i ri i Italisë synon lehtësi fiskale për sipërmarrjet, reformimin e kodit të punës, rritjen e produktivitetit, uljen e kostove të prodhimit. Por atij i duhet t'u bëjë ballë strukturave burokratike italiane.

https://p.dw.com/p/1BH4D
Italien Regierung Matteo Renzi 17.02.2014
Fotografi: Andreas Solaro/AFP/Getty Images

Ajo që Matteo Renzi ka shpallur për popullin e tij nuk është më pak se një "revolucion ekonomik". Gjashtë muaj përpara se Italia të marrë drejtimin e presidencës së radhës së BE-së në verë, duket se ekonomia e tretë e fuqishme në eurozonë, ka degraduar në aspketin e politikës ekonomike në një preokupim për Europën: rendimenti ekonomik është në stanjacion, kuota e papunësisë me gati 13% është ngjitur në vlerën më të lartë qysh nga vitet 70-të. Borxhet e shtetit italian arrijnë shumën e dy miliardë eurove, një kuotë kjo 130% e vlerës së produktit bruto në vend.

"Italia është në gjendje të keqe", thotë kryeekonomisti i Commerzbank, Jörg Krämer, në intervistë për DW. "Elitat politike janë të ngruta ndaj reformave - pra situata ekonomike është pezmatuese."

Renzi, reformatori?

Këtej e tutje do t'i jepet fund qëndrimit refuzues ndaj reformave. Shprehimisht Matteo Renzi, që është vetëm 39 vjeç dhe kësisoj kryeministri më i ri i të gjitha kohërave në Itali, akuzoi shokët e partisë së tij dhe paraardhësin Enrico Letta për mungesë vullneti për t'i vënë gjërat në lëvizje - dhe theksoi linjën e tij dinamike: "Për këtë qeveri s'ka më alibi", theksoi ai duke folur para dy dhomave të senatit italian.

Nga njëra anë do të thjeshtohet kodi i punës dhe do të njësohen mbi 40 format e ndryshme të punësimit që ekzistojnë aktualisht. Do të zbutet rregullorja që mbron të punësuarit nga anulimi i kontratës prej sipërmarrësve duke u kushtëzuar me kohën e marrëdhënies së punës, gjithashtu sipërmarrjet, që punësojnë të rinj do të favorizohen - nga aktualisht 18 muaj për 36 muaj - sa u përket detyrimeve fiskale.

Sipërmarrjet italiane Renzi do t'i lehtësojë duke i ulur shpenzimet për pagat dhe energjinë, të cilat do të financohen prej reduktimit të shpenzimeve publike - pra jo përmes rritjes së taksave. Edhe shmangia e strukturave burokratike bën pjesë në krye të agjendës së Renzit. Jürgen Michels, kryeekonomist i bankës "Bayerische Landesbank", ka megjithatë dyshime, nëse reformat e Renzit në situatën aktuale do të mund të vihen në jetë: "Edhe Mario Monti kishte një agjendë ambicioze, që në fund dështoi", thotë Michels për DW. Pikërisht me reformimin e tregut të punës Renzi ka përpara një pengesë të madhe", vë në dukje eksperti.

Italiens Regierungschef Renzi/ Senat
Fotografi: Reuters

Planet e vjetra dhe të reja për reformat

Për realizimin e reformave të ngjashme u përpoq edhe qeveria Monti në vitin 2012, por ajo dështoi përballë pengesave burokratike në realitet dhe paqartësive politike. Monti donte që t'i thjeshtonte format komplekse të punësimit - në pjesën më të madhe të vendosura gjatë qeverisë Berlusconi - si dhe synonte thjeshtimin e zgjidhjes së çështjeve të kontestueshme në aspektin e kodit përmes procedurave të arbitrazhit. Sindikatat e fuqishme, një ndërlidhje e kuotës së inflacionit dhe pagave të normuara në kontratat e punës si dhe mungesa e bashkëpunimit mes sipërmarrësve dhe punëmarrësve e kanë frenuar rritjen e produktivitetit. Rritja e pagave pavarësisht gjendjes së dobët ekonomike i kanë paralizuar gjithnjë e më shumë ndërmarrjet.

Sidoqoftë, pranon Michels, "Monti ishte një teknokrat. Matteo Renzi si politikan është i pozicionuar më mirë për t'i realizuar planet e veta." Përpara ripërfundojë reforma e shpallur kushtetuese.

Europa - "nuk është armike" e Italisë

Renzi ende vazhdon të tregohet si pro-europian: Europa nuk është armike e Italisë, thotë ai. Që të bësh përgjegjës Unionin Monetar europian për krizën ekonomike, kjo do të thotë të mohosh historinë e Italisë, u shpreh para senatit ish-kryebashkiaku i Finrences.

Por Unioni Monetar e vendos Italinë para sfidash, beson Krämer: "Italia nuk mund të zhvleftësojë më monedhën e saj e t'i mbulojë me këtë problemet e veta." Por kjo do të thotë edhe që Banka Qendrore Europiane vazhdon të jetë nën presion - sepse nga ana tjetër "rënia e Italisë" është një risk për Unionin Monetar: "Banka Qendrore Europiane është ndërkohë peng i politikës italiane."

Për këtë arsye ekonomisti Michels për një periudhë afatmesme parashikon protestë nga Brukseli: Një dështim i planeve të Renzit për reforma mund të trondiste të gjithë hapësirën e eurozonës.

Fjalë të ngrohta nga Strazburgu

Sidoqoftë ndryshimi i kreut të qeverisë në Itali vlerësohet si një shenjë shpresëdhënëse si në Strazburg ashtu edhe në Bruksel. Komisari i BE-së për Unionin Monetar Olli Rehn u tha agjencive gjermane të lajmeve, se ka besim, që qeveria e re italiane do t'u përmbahet detyrimeve. Ai tha, se gëzohet që do të bashkëpunojë me ministrin e Financave Piercarlo Padoan, i cili me 64 vjeç është anëtari më i moshuar i kabinetit Renzi. Padoan ka qenë më parë kryeekonomist i Organizatës për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin (OECD) në Paris.

Për gazetën italiane "La Stampa" Rehn theksoi besimin e tij ndaj ministrit të ri të ekonomisë: "Padoan e di se çfarë duhet bërë." Kryeekonomisti i Commerzbank Krämer e sheh "ekonominë e Italisë 'në lakun' e një administrate shtetërore jo efikase". Mbetet të shihet nëse këtë do të mund ta zgjidhë qeveria e re.