1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhje në Holandë: Proeuropianët kundër euroskeptikëve

10 Mars 2017

Spekulimet për një "Nexit"janë shumë të tepruara - por ndonjë dashuri të madhe për BE holandezët nuk kanë. Të bën pasuria egoist?

https://p.dw.com/p/2YwQW
Niederlande Wahlplakate
Fotografi: Reuters/M. Kooren

Populisti i djathtë Geert Wilders është jo vetëm ksenofob, por edhe kundërshtar i BE. Dhe janë të paktë ata që e mbrojnë hapur Evropën në fushatën elektorale në Holandë. Po pse ndeshemi në fakt me një situatë të tillë? Thirrjet e lëvizjes "Pulse of Europe" mbështeten në Gjermani shumicën e herëve nga disa mijëra vetë, të cilët dalin në rrugë për Evropën. Në Amsterdam, mbështetësit e Evropës shfaqen si një grumbull njerëzish të humbur, kur demonstrojnë çdo javë. Përpjekja trimërore për të zgjuar interesin e kalimtarëve për Evropën, duke shpërndarë fletëpalosje dhe flamurë të vegjël edhe në mot me shi të akullt: një aksion mjaft i pafuqishëm i ndoshta gjithsej 50 mbështetësve të Evropës. Pas disa fjalëve inkurajuese të organizatorëve thuajse të gjithë nxitojnë të futen në të ngrohtë.

A të bën egoist pasuria?

Pse ka kaq pak proevropianë? "Politikanët tanë nuk japin shembull të mirë", shpjegon Jan Pieter Verhoeg, restaurator për shtëpi të vjetra. "Eshtë tendencë e kohës që të jesh antievropian". Populistët e djathtë kanë kohë që nuk lënë gjë pa thënë për integrimin evropian. Thonë se sa mirë do të ishte sikur të ktheheshim në "kohët e vjetra të mira", me kufij dhe me monedhë vendase.""

Shumë bashkëatdhetarë të tij nuk e kuptojnë që Evropa ndodhet aktualisht në rrezik, thotë Verhoeg. Prandaj Verhoeg sakrifikon edhe pasditen e së dielës që ka të lirë: "Eshtë e habitshme që idenë e mbështesin kaq pak njerëz." Shumica arrijnë vërtet ta kuptojnë që Holanda jeton në 70 përqind të saj nga tregtia me BE - para së gjithash këtë e dinë mirë sipërmarrësit - por edhe në Holandë ekziston një nevojë që të mendohet thjesht, për përgjigje të thjeshta.

"Po ja që Evropa është e komplikuar." Po i ashtuquajturi paradoks i lumturisë, pyetja se pse janë kaq të pakënaqur holandezët e pasur dhe të furnizuar kaq mirë, sa të flirtojnë me populizmin e djathtë dhe t'i vënë pikëpyetje BE, si shpjegohet?
"Ndoshta jemi shumë të ngopur", supozon Verhoeg, "ndoshta pasuria të bën egoist".

Tepër shumë politikë neoliberale?

Edhe avokati Martin Snoep mban në dorë në shi një flamur të Evropës. Por ai nga ana e tij beson se për atmosferën në vend është bashkëpërgjegjëse politika ekonomike e qeverisë Rutte: Shumë vetë ndërkohë mendojnë se për ta nuk kujdeset më askush. Fjala është për globalizimin, për automatizimin dhe për shpërndarjen e pasurisë. "Të gjitha këto nuk janë tema evropiane - por fajtor ata bëjnë BE".

Krahas statistikave të pasurisë, ka shumë që "ndihen të humbur, sepse kemi pasur vite politikë shumë liberale", thotë Martin Snoep. Papritur njerëzve u thanë në këtë kohë se duhet të kujdesen vetë për veten e tyre. "Kemi pasur një shtet perfekt social, dhe papritur njerëzit lihen vetëm. Ata ndihen të tradhëtuar dhe thërrasin tani me zë të lartë për ndihmë, ndërmarrin gjithçka për të tërhequr vëmendjen e qeverisë. "

Evropianë nga pragmatizmi

Martin Verbeek e sheh Evropën në mënyrë shumë pragmatike. Prej tri brezash njerëzit e familjes së tij kanë punuar si tregtarë në Aalsmeer, në sallën më të madhe të ankandit të luleve. Këtu çdo ditë shiten gati 30 milionë lule, trëndafila nga Kenia dhe në pranverë natyrisht zambakë nga Holanda. Gjithsesi, 50 përqind janë lule që kultivohen në vend. "Ato vinë nga e gjithë bota dhe ne i shesim më tej në Evropë", thotë Verbeek. "Për ne është absolutisht e rëndësishme që të kemi akses në tregun e brendshëm," thotë Verbeek. Lulet thotë ai, janë mall që prishet, që nuk mund të presë në kufi. "Këtë ne e shohim për shembull në Zvicër. Ata kanë rregullat e tyre, vulat dhe formularët", shpjegon tregtari, kjo e vështirëson shitjen atje."

Nexit është budallallëk

Historiani Luuk van Middelaar është specialist për historinë e BE. Ai thotë se holandezët kanë qenë gjithmonë më të vakët se vendet e tjera fqinje ndaj idesë evropiane. "Ata e duan Evropën si treg", por pastaj kësaj i shtohet krenaria kombëtare. Dhe duke qenë se vëmendjen kryesore e kanë tek paratë, atmosfera në vitet 1990, kur Holanda nga vend pritës u shndërrua në paguese neto, u kthye në të kundërtën. Që atëherë në Holandë dëgjon sharje për Evropën.

Por njëkohësisht, thotë Middelaar, holandezët janë pragmatikë dhe një "Nexit"është absolutisht pa gjasa. Si banorë të një vendi të vogël holandezët e dinë se Holanda - ndryshe nga Britania e Madhe - nuk mund të jetë e suksesshme në botën e madhe. Midelaar mendon edhe që suksesi i Wildersit duhet çdramatizuar. "Për momentin ai arrin gjashtëmbëdhjetë përqind të votave, një të gjashtën e zgjedhësve. Ndoshta pak më tepër, por për të paktën tetëdhjetë për qind të holandezëve ai nuk përfaqëson ofertë të besueshme."
 

Niederlande Wahlplakate
Fotografi: Reuters/Y. Herman
Wahlkampf Niederlande Jan Piet Verhoeg
Jan Pieter Verhoeg lufton për EuropënFotografi: DW/B.Wesel
Niederlande Wahlkampf Geert Wilders ARCHIV
Fotografi: picture alliance/ANP/M. Beekman