1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çekia shpall gjendjen e jashtëzakonshme nga korona

7 Tetor 2020

Çekia shpall gjendjen e jashtëzakonshme nga korona - menjëherë pas zgjedhjeve të rëndësishme lokale, që mund të jenë paralajmërimi i një ndryshimi politik në vend.

https://p.dw.com/p/3jXFk
Tschechien Prag | Coronakrise
Fotografi: Vit Simanek/CTK/dpa/picture-alliance

"Gjendja e jashtëzakonshme është kthyer sërish!" Këto tituj dhe të ngjashëm lexon tani në gazetat çeke. Sepse në Çeki, e cila është veçanërisht e prekur nga pandemia korona në krahasim me vendet e tjera evropiane, qeveria ka shpallur emergjencën për 30 ditë.

Emergjenca shoqërohet me kufizime të shumta, si ndalimi i grumbullimeve, mbyllja e shkollave dhe universiteteve dhe zgjerimi i detyrimit për mbajtjen e maskës. Ministri i Shëndetësisë, Roman Prymula, që është në detyrë prej disa javësh, paralajmëroi se nëse njerëzit nuk i respektojnë kufizimet, do të duhet të merren masa edhe më të rrepta.

Kryeministri pranon gabimet

Arsyeja: në Çeki numri i infeksioneve me Covid 19 është rritur shumë ditët dhe javët e fundit. Fundjavën e kaluar ky vend regjistroi rreth 4.400 infeksione të reja, një rekord ky që prej fillimit të pandemisë në muajin mars. Për sa i përket shkallës së infeksioneve të reja për 100.000 banorë, Çekia zë aktualisht vendin e dytë në BE pas Spanjës.

Tschechien Prag | Coronakrise
Fotografi: David W Cerny/Reuters

Shkaku për këtë fiasko është një qëndrim tepër i shkujdesur ndaj kufizimeve të koronës, mbajtur me qëllim lirshëm nga qeveria çeke për arsye politike. Pas konfrontimit relativisht të suksesshëm me valën e parë të koronës, në verë nuk pati gati aspak kufizime. Por kur shifrat u rritën përsëri dhe në fund të gushtit ministri i atëhershëm i Shëndetësisë, Adam Vojtěch, kërkoi ashpërsimin e rregullave për mbajtjen e maskës, kryeministri Andrej Babiš e kundërshtoi.

Tschechien V4-Gipfel in Lednice Andrej Babis
Babiš pranon se kishte bërë gabime në lidhje me koronën

Disa javë më vonë Vojtěch, që nuk është as mjek dhe as politikan që të jetë marrë me çështje shëndetësore, dha dorëheqjen. Me sa duket ai u sakrifikua nga kreu i qeverisë. Babiš solli në kabinet epidemiologun pa parti Prymula, i cili është mbështetës i fortë i kufizimeve. Pak më vonë Babiš pranoi se kishte bërë gabime në lidhje me koronën, por refuzoi të jepte dorëheqjen. Në vend të kësaj ai i kërkoi opozitës të "ndalonin sherrin për ca kohë", duke thënë se është i lodhur nga grindjet.

Një ndryshim politik duket në horizont

Menaxhimi i koronës gjatë javëve të fundit në Çeki tregon se si kryeministri me orientim ekonomik liberal dhe populist i djathtë e merr faktikisht vendin peng për shkak të agjendës politike dhe aferave të tij. Ndërkohë situata e re emergjente vjen në një kohë, kur fryma në një pjesë të shoqërisë çeke po kthehet gjithnjë e më shumë kundër Babiš-it dhe qeverisë së tij dhe në horizont po ravijëzohet një ndryshim politik.

ANO (Aksioni i Qytetarëve të Pakënaqur), partia e kryeministrit, përjetoi për gati një dekadë ngjitje politike, duke u parë si forca kundër establishmentit. Miliarderi Babiš vetë prezantohet si antiburokrat, i cili lufton korrupsionin dhe i jep fund keqmenaxhimit të elitës. Që nga viti 2017 ai është në koalicion me socialdemokratët (ČSSD) dhe mbështetet nga komunistët (KSČM).

Tschechische Republik Prag | Protest | Solidarität mit Belarus
Fotografi: picture-alliance/dpa/M. Kamaryt

Megjithë imazhin që Babiš ka dëshirë t'i japë vetes, ai përflitet për afera të shumta korrupsioni. Qindra mijëra vetë dolën në rrugë vitin e kaluar kundër Babišit dhe mashtrimeve të tij. Çekia përjetoi tubimet më të mëdha të protestave që nga Revolucioni i Mëndafshtë. Pandemia e koronës i dha fund protestave. Por tani në zgjedhjet e parlamenteve rajonale çeke dhe në zgjedhjet për senatin, dhoma e sipërme e parlamentit kombëtar, u vu re një kthesë. ANO fitoi nominalisht zgjedhjet për parlamentet rajonale, si dhe raundin e parë të zgjedhjeve të senatit, por megjithatë ngjitja e saj, deri tani e pandalshme, u ndërpre dukshëm. Përveç kësaj socialdemokratët dhe komunistët pësuan humbje të rënda. Piratët progresivë liberalë në opozitë dhe lëvizja liberal konservatore e Kryebashkiakëve dhe e të Papartive (STAN) pësuan rritje.

Një test për zgjedhjet parlametare

Politologu dhe sociologu Lubomír Kopeček nga Universiteti Masaryk në Brno e quan rezultatin e zgjedhjeve "zyrtarisht fitore, por gjithsesi një rezultat vërtet të keq për ANO. Kjo ka të bëjë pjesërisht me faktin, se shumë votues të moshuar, që janë mbështetës të Babišit, qëndruan në shtëpi për shkak të frikës nga infektimi me korona”, thotë Kopeček për DW. Por edhe menaxhimi i pasuksesshëm i kororës ndikoi në rezultatin e zgjedhjeve. Ato janë edhe një provë për zgjedhjet parlamentare në vjeshtën e ardhshme. "Sidoqoftë opozita e fragmentuar në Çeki ka ndoshta vetëm një shans për të mposhtur Babišin, vetëm nëse ata formojnë blloqe më të mëdha zgjedhore", thotë Kopeček.

Politologu, publicisti dhe ish këshilltari i Havelit, Jiři Pehe, i tha DW se ANO fitoi vetëm, sepse kriza ekonomike e shkaktuar nga korona nuk ka mbërritur ende plotësisht në Çeki. "Qeveria e Babiš-it e ka mbajtur papunësinë të ulët me ndihmën e një borxhi gjigand kombëtar, ka paguar një shpërblim për të gjithë pensionistët dhe ka shtyrë deri në momentin e fundit gjendjen e jashtëzakonshme”, tha Pehe. Por rezultati i zgjedhjeve për ANO është tetë për qind më i ulët se në zgjedhjet e fundit në vitin 2017. "Babiš është në vështirësi dhe duhet të shqetësohet se partnerët e tij të koalicionit nuk do të hyjnë më në parlament" thotë Pehe, "prandaj këto zgjedhje aktuale janë shenja e një ndryshimi".

Keno Verseck, flokë të shkurtra, të kuqërreme, me kaçurela, pas syzeve me skelet të hollë një shikim i buzëqeshur drejt objektivit të kamerës.
Keno Verseck Redaktor, autor dhe reporter