1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Griechenland Euro

13 Shtator 2011

Ajo që pak javë më parë konsiderohej ende si skenar tmerri, po diskutohet ndërkohë hapur në Gjermani: Të shprehurit në lidhje me daljen e Greqisë nga euroja shkakton në Athinë trazim.

https://p.dw.com/p/12XtB
Fotografi: dapd

Qeveria e kryeministrit Jorgos Papandreou i mohon me forcë zërat dhe akuzat, se ajo ka hequr dorë prej synimeve të saj të kursimit, ose se ekspertët financiarë të BE-së, FMN-së dhe ECB-së nuk janë më të mirëseardhur në Athinë. Por shumë ekspertë financiarë e akuzojnë qeverinë se ajo është bashkëfajtore për gjendjen e keqe të sotme dhe për grindjen më të re me troikën gjithashtu. Me gjithë dyshimet ndaj përpjekjeve të kursimit të qeverisë Papandreou: lojërat e ideve mbi daljen nga euroja nuk shtrohen seriozisht për diskutim në Greqi. Të gjitha partitë politike e kanë shpallur mbetjen në eurozonë si detyrë kombëtare. Përjashtim përbëjnë komunistët, dikur besnikë të Moskës, të cilët do të donin të zhduknin krejt BE-në, si dhe populistët e djathtë, të udhëhequr prej ish-bodybuilder-it Jorgos Karadzaferis, i cili sjell në lojë një "dhrahmi evropiane" si monedhë paralele me euron.

"Rifutja e dhrahmisë do të ishte vetëvrasje ekonomike."

Shumica e grekëve duan euron dhe dhrahminë
Shumica e grekëve duan euron dhe dhrahminëFotografi: DW/viperagp;StudioPortoSabbia-Fotolia.com

Shumica e ekspertëve financiarë në Athinë janë të një mendjeje: Rifutja e dhrahmisë do të ishte vetëvrasje ekonomike, aq më tepër që një zhvlerësim i fuqishëm i monedhës nuk do t'i zgjidhte aspak problemet strukturore të ekonomisë greke. Por e vërtetë është gjithashtu: Me një mbetje në eurozonë Greqia do të duhej të vazhdonte një zhvlerësim të brendshëm nëpërmjet uljes së pagave dhe të çmimeve. Fatkeqësisht politikanët e fshehin faktin, që edhe kjo udhë mund të jetë shumë e dhimbshme, ankohet eksperti monetar Kostas Melas: "Daç kështu daç ashtu Greqia duhet të zhvlerësojë me të paktën 40 për qind për të kompensuar humbjen e aftësisë konkurruese", shpjegon Melas. "Që sot po shkurtohen pagat, të ardhurat dhe pensionet përmes zhvlerësimit të brendshëm dhe ky proces përshtatjeje mund të zgjasë shumë. Në sektorin publik shumë punëmarrësve u është dashur të heqin dorë nga 40 për qind e të ardhurave vjetore. Diçka e ngjashme pritet tani edhe në ekonominë private", thotë ekonomisti athinas.

Venizelos mohon të ketë pasur ndonjëherë grindje me troikën

Ministri i Financave të Luksemburgut Jean-Claude Juncker me homologun e tij grek Evangelos Venizelos
Ministri i Financave të Luksemburgut Jean-Claude Juncker me homologun e tij grek Evangelos VenizelosFotografi: dapd

Zërat për daljen e Greqisë nga euroja u dëgjuan, pasi e ashtuquajtura 'troikë' me ekspertë të BE-së, FMN-së dhe ECB-së u grind me ministrin grek të Financave Evangelos Venizelos dhe u largua para kohe nga Athina. Shumë grekë shohin këtu një lidhje: Gjoja Evropa ka përhapur zëra largimi të Greqisë nga euroja për të rritur trysninë mbi qeverinë greke, thuhet në Athinë. Venizelos mohon me forcë të ketë pasur ndonjëherë grindje me troikën, por ai duhet t'ia ngarkojë vetes fajin për grindjen dhe është kësisoj bashkëpërgjegjës për zërat, beson Stelios Katranidis, profesor ekonomie në Universitetin e Selanikut.

Arsyeja për gjendjen shpërthyese është përpjekja e jofatlume e ministrit të financave për të arritur doemos rinegociimin e masave të kursimit (me troikën), thotë Katranidis. Për këtë ai është paralajmëruar vazhdimisht. Negociata të reja mund të zhvillojë vetëm ai, që përmbush parakushte të caktuara, konkretisht besueshmëri, fuqi e madhe negociuese dhe ndjesia për momentin e duhur. Fatkeqësisht me dorë të zgjatur nuk je në gjendje të arrish rinegociim, ankohet Katranidis. 

Kryeministri Papandreou u bën apel grekëve

Apeli i Papandreout synon të sigurojë edhe mbijetesën e tij politike
Apeli i Papandreout synon të sigurojë edhe mbijetesën e tij politikeFotografi: dapd

Me aftësi taktike ai po apelon me fjalë të bukura te bashkëatdhetarët e vet, që të nisin luftën kundër rrugës pa krye, të shmangin falimentimin dhe t'ua nxjerrin rrenat në shesh njerëzve brenda dhe jashtë vendit, të cilët bartin rezerva. Apeli i zakonshëm i kryeministrit në situata të tilla krize te krenaria e grekëve nuk synon të ndihmojë vetëm shmangien e më të keqes, po synon të sigurojë edhe mbijetesën e tij politike: „Disa zëra kërkojnë hapur daljen e Greqisë nga euroja; shumë në Evropë, por edhe këtu në vend, venë bast për dështimin tonë, për t'u shërbyer interesave të tyre politike, ose ekonomike, ose urojnë që të ndodhë falimentimi për të pasur një jetë të mirë në vendin e lirë Greqi me paratë, që kanë nxjerrë në kohën e duhur jashtë Greqisë," paralajmëron Papandreou. "Qytetarët duhet të japin tani, sipas tij, përgjigjen e duhur. Ata duhet të livrojnë dëshminë, se Greqia mund t'ia dalë", kërkon kryeministri.

Por për momentin qytetarët janë tepër të zënë me luftën e tyre për mbijetesë. Pas shkurtimeve të të ardhurave deri në 30 për qind në 2010-ën çdo familje greke duhet të heqë dorë sivjet edhe nga një pagë muaji. Masa të tjera kursimi deri në fund të 2011-ës nuk përjashtohen.

Autor: Jannis Papadimitriou/Elert Ajazaj

Redaktoi: Angjelina Verbica