1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çfarë është Nakba palestineze?

Jennifer Holleis
15 Maj 2023

Më 15 maj, palestinezët shënojnë 75 vjetorin e humbjes së atdheut të tyre. Çfarë është Nakba dhe pse është me rëndësi?

https://p.dw.com/p/4RKD7
Kamp palestinezësh në Bejrut
Kamp palestinezësh në Bejrut Fotografi: ANWAR AMRO/AFP/Getty Images

Çfarë është Nakba?

Fjala arabe Nakba do të thotë katastrofë ose fatkeqësi. Në lidhje me konfliktin izraelito-palestinez, termi Nakba ose al-Nakba i referohet palestinezëve që kanë humbur atdheun e tyre gjatë dhe pas luftës arabo-izraelite të vitit 1948.

Mendohet se rreth 700.000 njerëz në atë që tani është Izraeli dhe Territoret Palestineze ose u larguan ose u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Konotacioni i Nakba tregon problemin, se shumë refugjatë palestinezë jashtë vendit mbeten pa shtetësi edhe sot e kësaj dite.

Cila është Dita e Nakba?

15 maji 1948 ishte fillimi i luftës arabo-izraelite dhe ka qenë prej kohësh një ditë, ku palestinezët dalin në rrugë dhe protestojnë kundër shpërnguljes së tyre. Shumë prej tyre mbajnë flamuj palestinezë, sjellin çelësat e shtëpive të tyre të mëparshme ose mbajnë pankarta me simbolet e çelësave. Çelësat ilustrojnë shpresën për t'u kthyer në shtëpi dhe atë që komuniteti e sheh si të drejtën e tyre për t'u kthyer. Në të kaluarën, disa protesta janë kthyer në përplasje të dhunshme. Izraeli akuzon Hamasin dhe organizatat e tjera që janë të listuara nga BE-ja dhe disa vende të tjera, si organizata terroriste, se e përdorin ditën për të çuar përpara kauzat e tyre.

Termi Dita Nakba u krijua në vitin 1998 nga udhëheqësi i atëhershëm palestinez, Yasser Arafat. Ai caktoi këtë datë si ditë zyrtare për përkujtimin e humbjes së atdheut palestinez.

Kamp refugjatësh në Jordanin Perëndimor
Kamp refugjatësh në Jordanin PerëndimorFotografi: RONALDO SCHEMIDT/AFP/Getty Images

Pse u desh të largoheshin palestinezët?

Deri në fund të Luftës së Parë Botërore, Palestina ishte nën sundimin turk si pjesë e Perandorisë Osmane. Më pas ra nën kontrollin britanik, i ashtuquajturi Mandati Britanik. Gjatë asaj periudhe, një numër në rritje hebrenjsh nga e gjithë bota u shpërngulën atje, duke e konsideruar atë si atdheun e tyre stërgjyshorë.

Pas përvojës së Holokaustit në Gjermaninë naziste, një Plan i Kombeve të Bashkuara për ndarjen e Palestinës u miratua nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Liga Arabe e hodhi poshtë planin. Agjencia Hebraike për Palestinën e pranoi. Më 14 maj 1948 u shpall shteti i Izraelit.

Si reagim, një koalicion i pesë shteteve arabe shpalli luftë, por u mund përfundimisht nga Izraeli në vitin 1949. Para luftës, midis 200.000 dhe 300.000 palestinezë ishin larguar ose ishin detyruar të largoheshin, ndërsa gjatë luftimeve janë larguar edhe 300.000 deri në 400.000 palestinezë të tjerë. Shifra e përgjithshme vlerësohet të jetë rreth 700.000 njerëz.

Refugjatë në vitin 1948
Refugjatë në vitin 1948Fotografi: Eldan David/Pressebüro der Regierung Israels/picture alliance /dpa

Gjatë luftës, më shumë se 400 fshatra arabe u shkatërruan. Ndërsa shkeljet e të drejtave të njeriut u kryen nga të dyja palët, masakra e Deir Yassin - një fshat në rrugën midis Tel Avivit dhe Jeruzalemit - është gdhendur veçanërisht në kujtesën palestineze edhe sot e kësaj dite. Të paktën 100 njerëz u vranë, duke përfshirë gra dhe fëmijë. Kjo shkaktoi frikë të përhapur në mesin e palestinezëve dhe bëri që shumë të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

Deri në fund të luftës, Izraeli zotëronte rreth 40% të zonës së caktuar fillimisht për palestinezët nga plani i ndarjes i OKB-së i vitit 1947.

Ku shkuan ata?

Shumica e palestinezëve përfunduan si refugjatë pa shtetësi në vendet fqinje arabe, vetëm një pakicë u zhvendos më tej jashtë vendit.

Deri më sot, vetëm një pjesë e palestinezëve të gjeneratës së ardhshme kanë aplikuar ose kanë marrë shtetësi të tjera. Si rezultat, shumica dërrmuese e rreth 6.2 milionë palestinezëve aktualisht në Lindjen e Mesme ka mbetur pa shtetësi në brezin e tretë ose të katërt.

Ku jetojnë sot?

Sipas agjencisë së refugjatëve palestinezë të OKB-së, UNRWA, shumica e palestinezëve në rajon ende jetojnë në kampe refugjatësh të cilët me kalimin e kohës u shndërruan në qytete refugjatësh. Ata janë kryesisht të vendosur në Rripin e Gazës, në Bregun Perëndimor të pushtuar, Liban, Siri, Jordani dhe Jerusalemin Lindor.

Ish-presidenti amerikan, Jimmy Carter dhe Arafat
Ish-presidenti amerikan, Jimmy Carter dhe ArafatFotografi: Rabih Moghrabi/AFP/dpa/picture-alliance

Diaspora ndërkombëtare palestineze vlerësohet të jetë rritur në rreth 6 deri në 7 milionë njerëz. Nëse kjo është e saktë, numri i përgjithshëm i palestinezëve do të ishte afër 13 milionë njerëz. Megjithatë, nuk ka asnjë organ global që mban shënimet për palestinezët në diasporë dhe nuk ka të dhëna të sakta.

Cila është e drejta e Palestinës për t'u kthyer?

Sipas Rezolutës 194 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara nga viti 1948, Rezolutës 3236 të OKB-së nga viti 1974, dhe Konventës së vitit 1951 mbi Statusin e Refugjatëve, palestinezët që konsiderohen refugjatë palestinezë kanë "të drejtën e kthimit".

Izraeli megjithatë po refuzon "të drejtën e kthimit" për palestinezët duke deklaruar se kjo do të nënkuptonte fundin e identitetit të Izraelit si një shtet hebre. Izraeli mohon përgjegjësinë për zhvendosjen e palestinezëve dhe thekson se midis 1948 dhe 1972 rreth 800.000 hebrenj u dëbuan ose u detyruan të iknin nga vendet arabe si Maroku, Iraku, Egjipti, Tunizia dhe Jemeni.

A ka propozime për zgjidhje?

Gjatë 75 viteve të fundit, ka pasur qasje të ndryshme për zgjidhjen e çështjes palestineze. Më e rëndësishmja mbetet zgjidhja me dy shtete me Izraelin dhe Palestinës së ardhshme që ndan Jerusalemin në dy kryeqytete. Megjithatë, ka dyshime nga të dyja palët se sa realiste do të ishte kjo. Kritikët vënë në dukje rritjen e numrit të vendbanimeve hebraike në Bregun Perëndimor të pushtuar, gjë që mund të përjashtojë një territor të bashkuar palestinez.

Propozime të tjera janë njohja e statusit të refugjatit nga Izraeli dhe një kompensim, por pa kthim, ose zhvendosje të kufizuar, ose një sistem me dy pasaporta në një shtet. Megjithatë akoma në horizont nuk duket ndonjë zgjidhje e qendrueshme.