1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çfarë është në lojë? - Irlanda dhe marrëveshja e Lisbonës

2 Tetor 2009

Në Irlandë sot (2.10.) zhvillohet referendumi i dytë për marrëveshjen e reformimit të BE-së, të hartuar në Lisbonë. Aktualisht mbështetësit e Marrëveshjes janë në epërsi, por zgjedhësit irlandezë mund të befasojnë.

https://p.dw.com/p/JwAx
Në foto: poster elektoral pro marrëveshjes së Lisbonës.
Irlanda voton për marrëveshjen e Lisbonës.Fotografi: AP

Irlanda është anëtari i vetëm i BE-së, ku me kushtetutë parashikohet mbajtja e referendumit për ndryshimet e marrëveshjes për reformën. Pas refuzimit të parë të marrëveshjes së Lisbonës, në qershor të vitit 2008, e gjitha Evropa i ka drejtuar sytë drejt këtij vendi, ku rreth tre milionë zgjedhës për të dytën herë, këtë të premte në referendum duhet të deklarohen për këtë dokument. Në vitin 2001 irlandezët patën refuzuar edhe marrëveshjen e BE-së, të miratuar në Nicë. Në referendumin e dytë, 16 muaj më vonë, e pranuan atë.

Irlandezëve u premtohet sovranitet vendimmarrjeje në politikën fiskale dhe çështjen e abortit

Në foto: Kryeministri irlandez Brian Cowen.
Kryeministri irlandez Brian Cowen optimist për 'PO'-në e irlandezëve.Fotografi: AP

Kryeministri Brian Cowen shpreson, që e njëjta gjë të përsëritet edhe këtë herë. Komisioni Evropian ka premtuar se nuk do ta zvogëlojë përbërjen e tij, ndërsa iralendezëve u është premtuar se nuk do t'u preket sovraniteti në vendimet për politikën fiskale dhe ndalimin e abortit. Cowen tha gjatë fushatës, se nuk është fjala vetëm për një marrëveshje të thjeshtë: „Ky referendum nuk është një gjë rutinë. Bëhet fjalë për më shumë se vetëm për parti, organizata dhe interesa. Fjala është për të ardhmen e vendit.“

"JO"-ja e irlandezëve me pasoja edhe për vendet e tjera

Irlanda vetëm në Evropë ka shanse për kapërcimin e krizës ekonomike, mendojnë partitë e atjeshme dhe sindikatat. Kur u pranua në Bashkësinë Ekonomike Evropiane, në vitin 1973, Irlanda ishte ndër vendet më të varfëra, ndërsa tani është vendi i dytë më i pasur në BE.

Në fioto: ministri irlandez për Evropën, Dick Roche.
Roche: dështimi i referendumit do të ishte tragjik.Fotografi: DW/Susanne Henn

Nëse irlandezët sërish i thonë "JO" marrëveshjes për reformimin e BE-së, kjo do të ketë pasoja edhe për vendet tjera, mendon ministri për Evropën, Dick Roche: "Kjo do të ishte tragjike, sepse marrëveshja e Lisbonës është një gjë e mirë. Nëse ne themi 'PO', Evropa do të bëhet më demokratike dhe eficiente. Humbja do të ishte një tragjedi e vërtetë.“

Rrezikon zhvillimi i Evropës me dy shpejtësi

Evropa do të zhvillohej me dy shpejtësi. Do të cënohej procesi i integrimit dhe pranimit të shteteve të tjera. Irlanda nuk do të ishte në trenin exspres, por në një hekurudhë dytësore, mendon Dick Roche. Edhe në Bruksel kanë frikë, se nëse dështon referendumi në Irlandë, Evropa për vite të tëra nuk do të arrinte një marrëveshje tjetër. Referendumi i tretë aktualisht përjashtohet si mundësi. Skeptikët ndaj Evropës si sipërmarrësi Declan Ganley, kritikojnë qeverinë me fjalët, se në marrëveshjen e Lisbonës nuk ka ndryshuar asgjë. "Garancitë nuk kanë asnjë vlerë. Kur në jetën e biznesit ndryshohet një kontratë, avokatët këmbejnë versionet e reja, të cilat më pas duhet të nënshkruhen. Asnjë prej parlamenteve në Evropë nuk i ka ratifikuar ndryshimet e kësaj marrëveshjeje, sepse ndryshime nuk ka pasur“, ankohet Ganley.

Këtë herë qeveria irlandeze ka më shumë shpresa për fitore

Ndryshe nga fushata e verës së vitit 2008, Declan Ganley nuk ka arritur të mobilizojë shumë kundërshtarë të marrëveshjes. Qeveria në Dublin kësaj radhe është më e sigurtë për fitoren. Ministri irlandez për Evropën, Dick Roche, thotë, se kësaj radhe do të votojnë edhe fshatarët, që është shumë me rëndësi. Në 36 vitet e kaluara ata kanë marrë rreth 43 miliardë ndihma nga vendet tjera të BE-së. Ndërsa Kryeministri Cowen përpiqet të fitojë pikë me argumentin, se bankat e Irlandës mundën të mbijetojnë gjatë krizës financiare, vetëm falë ndihmave të Bankës Qendrore Evropiane. Edhe vetëm për këtë arsye BE-ja është e domosdoshme: "Unë i kuptoj shqetësimet e shumë njerëzve, që vuajnë nga kriza ekonomike. Por dua t'u them: e ardhmja është në duart tuaja. Me një "Po" do ta ndihmoni Irlandën drejt rimëkëmbjes ekonomike.“

Kritikët druhen ndaj kufizimit të sovranitetit të Irlandës

Kundërshtari i Marrëveshjes, Declan Ganley thotë, se investitorët janë ata të cilët hapin vende të reja pune, dhe ata janë indiferentë ndaj marrëveshjes së Lisbonës. Askush nuk kërkon të dalë nga BE-ja. "Vendeve të punës u themi po, sepse askush nuk është kundër tyre! A është dikush kundër ekonomisë? Kjo është qesharake! Por kjo marrëveshje s'ka të bëjë fare me këto" - thotë Ganley.

Kundërshtarët thonë edhe se marrëveshja kufizon sovranitetin e Irlandës. Irlandezët janë të ndjeshëm ndaj kësaj çështje, sepse pavarësinë nga sundimi britanik e arritën në vitin 1937, pas lufës civile dhe ndarjes së ishullit.

Qendrat e votimit do të mbyllen të premten (2.10.) në ora 22.00. Të shtunën (3.10.) në mëngjes fillon numrimi i votave, ndërsa rezultatet e para priten rreth mesditës.

Autor: Bernd Riegert / Bahri Cani

Redaktoi: Eliana Xhani