Çmontimi ka nisur
29 Shtator 2015Këtë herë punët u bënë tak-fak: më shumë se një javë e gjysmë prej bërjes së ditur të skandalit për vlerat e manipuluara të tymit të shkarkuar nga automjetet e Volkswagenit, Prokuroria e Braunschweig-ut nis hetimet. Akuza kundër shefit të koncernit, në post deri të enjten e kaluar, Martin Winterkorn është: mashtrim. Veç kësaj, prokurorët kanë në tryezë një kallëzim të vetë Volkswagenit, me të cilin synohet të sqarohet, se kush ishte në fund të fundit përgjegjës për implantimin e elektronikës së manipuluar në motor dhe kush e ka ditur këtë.
Pra mashtrim...
Për një njeri, që ishte shef i ndërtuesit më të madh të automobilëve në Evropë, për një njeri që synonte ta bënte koncernin lider në botë, kjo është më e keqja që mund t'i ndodhte. Sepse nëse ka diçka, që nuk zëvendësohet me asgjë, ky është besimi.
Ajo që nis tani, trajtimi i skandalit do ta rëndojë shumë muzgun e jetës të 68 vjeçarit Martin Winterkorn. Po të dëshmohet se ai ka qenë në dijeni për truket, nga milionat e shumta që ka fituar ai te VW, nuk i bie të mbetet aq shumë, kjo vlen edhe për veprën e jetës së tij.
Po kjo është vetëm njëra anë e aferës
Pjesa shumë më e rëndësishme është e ardhmja e koncernit të Volkswagenit. Drejt koncernit po afrohet një valë kallëzimesh, që mund të krahasohet vetëm me konfliktet juridike, me të cilat përballet Deutsche Bank që prej shpërthimit të krizës financiare në vitin 2008 deri sot. Mijëra procese gjyqësore, miliarda gjoba, një dëm në imazh që nuk mund të llogaritet me shifra.
Përparësia e Deutsche Bank-ës: ajo nuk ndodhet e vetme në bankën e të akuzuarve, shumë banka të tjera të mëdha kanë bërë gjithashtu truke, kanë manipuluar kurset e këmbimit dhe i kanë këshilluar gabim klientët e tyre. Shpresa e fshehtë në qendrën e koncernit të VW në Wolfsburg duhet të ecë po në të njëjtin drejtim: edhe të tjerët kanë bërë truke. Por deri tani VW është i vetmi që e kanë kapur. Që kur ka shpërthyer skandali, strategjia e firmës nuk është më zënia e vendit të parë në botë, por: të ruhet koncerni nga copëtimi. Në të gjithë botën, autoritetet hetimore kanë nisur t'i shikojnë më me vëmendje aktivitetet e Volkswagenit në vendet e tyre.
Veçanërisht fort bëhet kjo në SHBA, prej atje kërcënon rreziku më i madh. Jo vetëm prej pronarëve të ndryshëm të automjeteve, që janë zhgënjyer dhe kanë bërë tashmë kallëzim. Disa shtete federale së bashku duan të zhvillojnë hetime kundër koncernit. Edhe një fond pensionesh ka paraqitur aktpadije, sepse nga rënia e kursit të aksioneve të VW për shkak të aferës së tymrave të shkarkuar nga automjetet ka humbur disa qindra milionë dollarë.
Ajo që ka nevojë me të vërtetë koncerni i Volkswagenit është një strukturë moderne. Atë e vendosi këshilli mbikqyrës të premten e kaluar. Por nëse në Wolfsburg do të gjejë në muajt, ndoshta vitet e ardhshme forcën dhe përqendrimin, për ta mbushur me jetë këtë strukturë të re, unë e konsideroj shumë të pasigurtë.