Entuziazëm i madh në Bruksel - Reagimet e BE-së pas referendumit në Irlandë
4 Tetor 2009Pas numërimit të votave në 43 qarqe zgjedhore, u bë e qartë se irlandezët i thanë 'Po' marrëveshjes së Lisbonës, pothuajse në të githa zonat elektorale të Irlandës. Nga tre milionë qytetarët me të drejtë vote, morën pjesë në referendum 58 %. Prej tyre 67,1 % votuan pro marrëveshjes së reformave në BE. Kryeministri irlandez Brian Cowen, foli për "një ditë të madhe për Irlandën dhe Evropën".
Kryeministri, fati politik i të cilit lidhej ngushtë me rezultatin e referendumit, angazhohet për solidaritet evropian në kohën e krizës ekonomike. "Rezultati i zgjedhjeve të sotme, është një shprehje e qartë e vullnetit të popullit irlandez, që Irlanda të mbetet në zemër të Evropës. I falendëroj të gjithë që jemi së bashku për Evropën. Së bashku jemi më të mirë dhe më të fortë", tha kryeministri irlandez.
Reagimet e para nga Brukseli për 'Po'-në irlandeze kanë qenë euforike. Njëzëri kërkohet tani nga presidenti çek Vaclav Klaus, që të nënshkruajë më në fund edhe ai marrëveshjen e Lisbonës.
Ngriten gotat për 'rezultatin e drejtë për Irlandën dhe për Evropën'
Guy Verhofstadt, kryetari i liberalëve në Parlamentin Evropian, kishte ftuar gazetarët në një 'irish pub', një klub irlandez në lagjen 'Evropa', që duke trokitur gotat me birrë, t'u shprehte gëzimin e tij, lidhur me rezultatin e votimit në Irlandë. Në të njëjtën kohë, përballë këtij lokali, në kuartierin qendror të Komisionit Evropian, zëvendëskryetarja Margot Wallström, rekomandoi ngritjen e gotave për 'Po-në' irlandeze edhe pse ajo vetë nuk është konsumuese e birrës: "Mendoj se sonte ia vlen të pish një apo dy Guiness (birrë irlandeze), pasi besoj se ky është rezultati i drejtë për Irlandën dhe për Evropën".
Ndërkaq shefi i saj, Jose Manuel Barroso, duke falenderuar irlandezët u shpreh se "kjo është një ditë e mrekullueshme për Irlandën, një ditë e mrekullueshme për Evropën".
Euforisë së Barrosos i është bashkangjitur edhe presidenti i Parlamentit Evropian, Jerzey Buzek: "Irlandezët treguan pasion të vërtetë për projektin evropian, ata duan të jenë në zemër të Evropës".
Sytë e Bashkimit Evropian janë kthyer tani nga Polonia dhe Çekia
Marrëveshja për reforma e Lisbonës duhet të bëjë Bashkimin Evropian më demokratik dhe ajo do të forcojë parlamentet kombëtare dhe Parlamentin Evropian. Po ashtu kjo marrëveshje do ta bëjë më të lehtë qeverisjen. Ajo synon të përshpejtojë proceset vendimmarrëse në institucionet e BE-së dhe t'i japë më shumë peshë BE-së në arenën ndërkombëtare. Por që të hyjë në fuqi, marrëveshja duhet të ratifikohet nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Prandaj tani sytë janë kthyer nga Polonia dhe Çekia, dy vendet e vetme që deri tani nuk e kanë ratifikuar ende atë.
Presidenti çek Vaclav Klaus bëri të ditur, se edhe pas referendumit të suksesshëm në Irlandë pro marrëveshjes për reformimin e BE-së, nuk do ta firmosë së shpejti traktatin e Lisbonës. Klaus, një kritik i vendosur i marrëveshjes, tha, se do të presë fillimisht vendimin e gjykatës kushtetuese. Senati çek ka thirrur instancën më të lartë gjyqësore të vendit. Ndërkaq Presidenti polak, Lech Kazhynski, ka njoftuar, se pas pranimit të irlandezëve do ta nënshkruajë shumë shpejt këtë marrëveshje. Jose Manuel Barroso beson, që pasi marrëveshja të jetë nënshkruar nga presidenti polak, ajo nuk do të mbahet e bllokuar as nga presidenti çek. "Vaclav Klaus nuk e ka legjitimitetin që të bllokojë vullnetin politik të 26 vendeve anëtare", mendon deputetja socialdemokrate në Parlametin Evropian, Jo Leinen. Kolegu i saj liberal, Alexander Lambsdorf, shton: "Besoj se zoti Klaus në Pragë, duhet të mendohet mirë, nëse dëshiron të mbetet i fundit që nuk pranon të nënshkruajë marrëveshjen. Unë nuk besoj se ai do të vazhdojë të luajë këtë lojë të papërgjegjshme, por shpresoj që të verë firmën e tij në dokumentin e marrëveshjes".
Autor: Andreas Reuter / Esat Ahmeti
Redaktoi: Eliana Xhani