Hungaria kundër BE-së
8 Shtator 2017Gjykata Evropiane e Drejtësisë (GJED) i hodhi poshtë ankesat e Sllovakisë dhe të Hungarisë kundër shpërndarjes së refugjatëve dhe azilkërkuesve në të gjitha vendet e BE-së. Në shtator të vitit 2015, Sllovakia, Hungaria, Republika Çeke dhe Rumania votuan kundër një vendimi të Këshillit të Ministrave të shteteve të BE-së, në Bruksel. Këshilli vendosi të shpërndajë në vendet e BE-së 120,000 refugjatë nga Greqia, Italia dhe Hungaria.
Ky vendim është i ligjshëm, vendosi gjykata në Luksemburg. Fakti që BE-ja me vetëm pak përjashtime e ka zbatuar vetëm ngadalë shpërndarjen e refugjatëve nuk e prish vlefshmërinë ligjore të kuotës së refugjatëve, u shprehën gjyqtarët. Gjykata i hodhi poshtë të gjitha argumentet e paraqitura nga Sllovakia dhe Hungaria. Edhe Polonia, e cila deri tani refuzon të pranojë as edhe një refugjat të vetëm dhe e mbështet padinë, është, sipas vendimit të gjykatës, e detyruar të ndryshojë politikën e vet.
Komisioni i BE-së mund t'i padisë shtetet anëtare
Pas kësaj humbjeje të rëndë ligjore për kryeministrin socialdemokrat të Sllovakisë, Robert Fico dhe kryeminstrin konservator të Hungarisë, Viktor Orban, Komisioni i BE-së në Bruksel mund të vazhdojë procedimet e tij kundër shteteve që nuk janë të gatshme të pranojnë refugjatë. Komisioni ka nisuar tashmë procedurat për shkelje të marrëveshjeve kundër Hungarisë, Polonisë dhe Republikës Çeke. Komisioneri i BE-së Dimitris Avramopulos kërcënoi nga Brukseli duke thënë se është i vendosur të ngrejë akuza kundër Hungarisë, Polonisë dhe Republikës Çeke brenda disa javësh. Rezultati i procedurave mund të jenë gjoba e ndjeshme. Edhe Austria nuk ka marrë ende asnjë refugjat të vetëm në bazë të kuotës së shpërndarjes së refugjatëve. Edhe Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Spanja nuk e kanë përmbushur detyrimin e tyre.
Hungaria e quan vendimin "të papërgjegjshëm"
Kryeministri hungarez Viktor Orban është kundër pranimit të refugjatëve dhe thotë se emigrantët janë "kali i Trojës së terrorizmit". Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, e quajti vendimin e Luksemburgut "të papërgjegjshëm" dhe tha se Hungaria do të vazhdojë të këmbëngulë për gjetjen e rrugëve legale që të vendosë vetë se kë të lejojë të hyjë në vend ose jo.