1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lea Ypi: Nuk mund të jetë i lirë dikush që është i papunë

15 Qershor 2022

Filozofja e shkrimtarja shqiptaro-britanike, Lea Ypi për DW mbi lirinë në shoqëri, mungesën e besimit të shqiptarëve tek vetja, mbi pajtimin kombëtar pas të shkuarës diktatoriale dhe zbulimin e një vajze të vogël.

https://p.dw.com/p/4CiOh
Lea Ypi, britisch-albanische Philosophin
Fotografi: Lindita Arapi/DW

Deutsche Welle: Ju e keni titulluar librin "Të lirë" - të rritesh në fund të historisë - A janë vërtet shqiptarët sot të lirë dhe "të rritur", se në fund të historisë - këtë nuk mund ta thuash më sot pas luftës në Ukrainë...

Lea Ypi: Shqiptarët kanë kaluar nga një fazë kur problemet e Shqipërisë ishin vetëm problemet e Shqipërisë në një fazë kur problemet e Shqipërisë reflektojnë edhe problemet e botës. Pra krizat që janë kriza globale ndjehen edhe në Shqipëri, ndoshta veçanërisht në Shqipëri, e vende të tjera me histori të ngjashme, ku procesi i ndërtimit të shtetit është ende i papërfunduar. Mendoj që liria mbetet ideal kudo në botë. Ne kemi kaluar nga forma shtypjeje të drejtpërdrejta nga partia, nga shteti, nga kulti i individit, në forma shtypjeje anonime, nga tregjet, nga globalizimi, nga kriza, për të cilat është shumë e vështirë të përcaktosh përgjegjësi individuale, por që gjithsesi i kufizojnë liritë e të gjithëve. Premtimi i një shoqërie të lirë tingëllon disi i zbrazët, nëse nuk përmbushet për të gjithë. Nuk mund të jetë i lirë dikush që është i papunë.

Pse ishte e rëndësishme për ju të shkruanit një libër autobiografik-filozofik, një "nonfiction"?

Ishte një lloj autobiografie intelektuale dhe një mënyrë për të kuptuar më mirë nga vija unë si profil filozofik. Libri filloi me një përpjekje për të analizuar idetë e lirisë në traditat liberale dhe socialiste të mendimit politik dhe gradualisht u kthye në rrëfim autobiografik. Për mua ishte interesant zbulimi pothuajse psikoanalitik se çdo gjë që unë besoja nga ana filozofike i kishte rrënjët në përvojat e një vajze të vogël të rritur në Shqipërinë e viteve 80-90-të, që nisi të zgjohej dalëngadalë në faqet e librit.

Buch Cover Lea Ypi Te Lire
Libri "Të lirë - të rritesh në fund të historisë" u botua nga Shtëpia Botuese "Dudaj" në Tiranë

Ajo vajzë e vogël është maturuar, por a ka arritur në fund të zbulimit?

Kërkimi i vetvetes është një proces që nuk besoj se njeriu arrin ta përmbyllë asnjëherë, ai na shoqëron në çdo fazë të jetës. Ne ballafaqohemi vazhdimisht me të shkuarën, por nga ana tjetër edhe perceptimi i të shkuarës ndryshon në varësi të eksperiencave që bëjmë në të tashmen dhe mënyrës si e shohim veten në të ardhmen.

Një përmbysje e tillë kaq e madhe pas rrëzimit të diktaturës sjell me vete edhe një krizë identiteti. Sa e vështirë është sot gjetja e identitetit për ata që u rritën në komunizëm, për një brez që ishte në moshë të re, e ku të gjitha përfytyrimet, jo vetëm ato për lirinë për lirinë u shkërmoqën brenda natës?

Për brezin tonë ka qenë veçanërisht e vështirë për arsye se ai është bërë mbartës i të gjitha idealeve që prindërit e tyre nuk i realizuan dot, por duke përjetuar në të njëjtën kohë edhe zhgënjimet tona specifike. Fëmijët që janë rritur „në fund të historisë" kanë vetëm kujtime fëmijërie nga periudha komuniste dhe fëmijëria është një fazë e jetës që shihet gjithnjë me një lloj nostalgjie, sidomos nëse fëmijët janë rritur në një mjedis familjar të rrethuar me dashuri. Për brezin tonë realiteti tragjik i Shqipërisë në periudhën komuniste ka qenë i filtruar nga prindërit dhe zbulimi i të vërtetës ka ardhur jo si pasojë e rrugëtimit individual por si pasojë e çarjes historike të shkaktuar nga ndryshimi i sistemit. Për këtë arsye ky brez ka patur një përballim me të tashmen që ishte shumë i ngarkuar nga përvojat e prindërve dhe sidomos nga fakti që të gjitha pamundësitë, të gjitha pengesat, gjithë shtypja e brezit të prindërve të gjyshërve u bë barrë dhe përgjegjësi për brezin e ri që të realizonte atë që paraardhësit nuk e kishin realizuar dot. Kjo sigurisht ishte një mundësi e jashtëzakonshme, por edhe një peshë e padiskutueshme.

Lea, libri juaj është pritur me entuziazëm jashtë, në Shqipëri ka pasur edhe kritika duke e konsideruar librin si një falje për komunizmin - mendoni se ka qenë një keqkuptim?

Njerëz të ndryshëm kanë pasur kritika të ndryshme, por nuk besoj se mund t'i quajmë të gjitha keqkuptime. Shumë kritika burojnë nga bindje të ndryshme filozofike, metodologjike ose nga një analizë e historisë në këndvështrim tjetër. Në përgjithësi kritikat e publikut shqiptar janë përqëndruar sidomos tek pjesa e parë e librit, që në fakt përbën më pak se gjysmën e tij ndërkohë që tematika kryesore që ai trajton është ajo e tranzicionit, konceptimit të lirisë dhe dallimit të saj nga propaganda apo ideologjia. Nuk besoj se libri ka ndonjë qasje shfajësuese ndaj komunizmit në Shqipëri, ai është kritik si ndaj periudhës socialiste, ashtu edhe ndaj periudhës që e ka pasuar atë. Disa nga kritikat në Shqipëri janë të kuptueshme, pasi një libër që bën shumë jehonë në botë, duket sikur rrezikon të bëhet përfaqësues i një populli të tërë, por në fakt asnjë libër nuk mund ta përfaqësojë një popull. Çdo autor ka eksperiencat e tij dhe çdo eksperiencë përcillet në mënyrë të ndryshme. Me siguri po të kishte më shumë autorë, më shumë letërsi shqiptare të përkthyer, dhe sikur historia e vendit tonë të njihej më mirë jashtë tij atëherë barra e përfaqësimit nuk do të binte thjesht mbi një apo dy autorë dhe kritikat do të merrnin formë tjetër.

Lea Ypi, britisch-albanische Philosophin
Lea Ypi në bisedë me Wolfram Eilenberger në kuadër të Festivalit të Filozofisë, phil.cologne, 12.06.2022Fotografi: Lindita Arapi/DW

Shqipëria kaloi një nga diktaturat më të egra lindore, e megjithatë përballja me të shkuarën ishte shumë më e vështirë se të gjitha vendet lindore, hapja e dosjeve u shty me vite, viktimat ndjehen ende sot të denigruar, kurse shumë nga ata që ishin përgjegjës të asaj kohe jo vetëm nuk reflektuan, por justifikoheshin me fjalët, ashtu ishte koha...mendoni se Shqipëria sot është një vend që e ka bërë përballjen me të shkuarën e rëndë?

Përballja me të shkuarën është një proces i gjatë dhe i ndërlikuar dhe askush nuk e ka monopolin se si kryhet ajo më mirë. Kërkimi i të vërtetës nga ana e viktimave është po aq i rëndësishëm sa pajtimi kombëtar, por ndërsa e vërteta është individuale, pajtimi kryhet bashkarisht. Ky është një proces në të cilin të gjitha familjet shqiptare kontribuojnë me historitë e tyre, me përvojat e tyre dhe nga kërkimi i të vërtetave, nga koha që kalon, nga debati që ndizet nëpërmjet këtyre përvojave të ndryshme ndoshta arrihet përballja me pasojat e diktaturës. Por nuk është bardhë e zi, nuk bëhet thjesht për të thënë që u bë, dhe nuk janë hapa që mund të pritet të hidhen nxitimthi nga e sotmja në të nesërmen.

Ju nuk jeni vetëm shkrimtare, por edhe profesore e teorisë politike, e zhvillimet në Shqipëri i shikoni nga fokusi i studiueses, parë nga kjo anë, si e shikoni Shqipërinë sot...një vend ku klasa politike nuk del dot ngërçi polemizues e bllokues, kurse njerëzit e thjeshtë duan të largohen...

Mendoj se politika e Shqipërisë duhet të kthehet tek një politikë e idealeve, një politikë e vizioneve, politikë e platformave të partive që ballafaqohen me programe shoqërore të ndryshme, dhe që shpjegojnë se si dhe pse secili nga këto programe çon në vendimet e duhura dhe realizon vlerat që duhet të kemi si shoqëri. Politika sot kudo është politikë e interesave individuale dhe personalizimit të pushtetit, trampolinë për t'u fuqizuar në kurriz të të tjerëve dhe jo urë lidhëse mes qytetarëve me bindje të ndryshme. Pushteti ekonomik kushtëzon atë politik në mënyrë jashtëzakonisht problematike. Në Shqipëri politika duhet të shkojë përtej akuzave individuale e t'u japë mundësi qytetarëve të orientohen me programet e partive të ndryshme dhe të gjejnë në to bindjet e tyre. Përndryshe demokracia do të mbetet thjesht një parullë e zbrazët.

Si e shpjegon sot dëshirën e pashuar të shqiptarëve për largim nga vendi, sidomos të rinjve edhe të atyre që kanë pak a shumë një jetesë të mirë...Pse nuk e ofron Shqipëria sot dot këtë strehë, që njerëzit të duan të qëndrojnë, a lidhet kjo edhe me një krizë identiteti të shoqërisë shqiptare që e lidh shpëtimin vetëm me largimin drejt perëndimit?

Them se ka të bëjë me traumën historike që ne kemi kapërcyer, ku populli e ka parë veten gjithnjë si viktimë, viktimë e fuqive të mëdha, viktimë e diktaturës dhe ku kjo e kaluar shtypjeje na ka bërë të humbim besimin tek vetja dhe të dyshojmë se mund t'ia dalim të ndërtojmë institucionet tona, shtetin tonë. Trishtohem shumë kur kthehem në Shqipëri, dhe dëgjoj shprehje të natyrës se shqiptarët nuk e bëjnë dot këtë, ose ne shqiptarët jemi të tmerrshëm, ose ne jemi shumë të këqinj për njëri-tjetrin, sepse është një formë esencializmi dhe mosbesimi tek aftësitë tona të përbashkëta që nuk i shërben të ardhmes.

Krizë identiteti?

E gjithë bota është në krizë në këtë periudhë. Nuk mendoj se Shqipëria është në ndonjë krizë më të thellë se sa vende të tjera. Natyrisht kriza në Shqipëria ka veçoritë e saj historike që reflektohen në institucionet që kemi trashëguar dhe mënyrën se si kërkojmë zgjidhje. Por mendoj se ka ardhur koha ta shohim Shqipërinë nga pikëpamja globale dhe jo botën nga pikëpamja e Shqipërisë. Kjo ndoshta i mungon shoqërisë shqiptare, çdo problem shihet nga brenda jashtë dhe jo nga jashtë brenda. Sikur të zgjerojmë këndvështrimin e rolit të Shqipërisë në Europë përtej analizave të tipit na pranojnë apo nuk na pranojnë në BE, do të kuptojmë më mirë edhe kontributin që Shqipëria mund të japë në Ballkan e më gjerë në zgjidhjen e krizave. Atëherë ndoshta do t'i shohim vështirësitë që kemi kapërcyer jo thjesht si arsye për ta konsideruar veten si humbës të historisë por si një mundësi për të kontribuar në një politikë globale të zgjidhjes së krizave që arrin ta kthejë eksperiencën traumatike në mësim edhe për të tjerët...

Lea Ypi, britisch-albanische Philosophin
Fotografi: Lindita Arapi/DW

 A është kjo karakteristikë e vendeve të vogla, që merren më shumë veten dhe nuk e shohin veten në kontekstin global?

Është një problem i historisë, një histori që është përcaktuar gjithmonë nga fuqitë e mëdha. Kur një shtet është formuar dhe ekziston thjesht si pasojë e vullnetit të fuqive të mëdha është shumë e vështirë për qytetarët e atij shteti që të kenë besim se vërtet mund të arrijnë autonominë e premtuar. Kjo reflektohet më tej edhe në dinamikat e marrëdhënieve me botën e jashtme. Ka shumë rëndësi që Shqipëria të bashkëveprojë me vendet jashtë Shqipërisë, me Ballkanin, me BE, me SHBA duke treguar në radhë të parë respekt për veten, për vendimet e saj, eksperiencat e saj, dhe personalitetin e saj si shtet. Shqiptarët duhet të dëshmojnë se e vlerësojnë veten para se të kërkojnë aprovimin e të tjerëve.

Diçka personale...mendon, se për një femër, shqiptare, me barrën e një vendi të panjohur për Europën është shumë më e vështirë të mbërrijë aty ku keni mbërritur ju, apo ecja përpara është njësoj e vështirë si për këdo tjetër...

Po, mendoj se të gjithë autorët apo akademikët që vijnë nga vende të vogla e kanë këtë problem përfaqësimi, për të cilin fola më parë pasi interesi si politik dhe mediatik ndaj vendeve të vogla kur nuk kapërcejnë luftëra apo tragjedi të ngjashme është shumë i kufizuar. Sigurisht që është më e vështirë të përfaqësohesh jashtë nëse vjen nga një vend i vogël. Por ka edhe dinamika të tjera, dinamika të ndarjeve etnike, gjinore apo klasore, që përjetohen njësoj kudo.

A do të vijë një libër tjetër pas librit "Të lirë"?

Po punoj për një roman me karakter historik-filozofik që do të ketë si bosht jetën e gjyshes sime, e cila është edhe personazh në librin "Të lirë". Ai ambientohet në Shqipërinë e viteve 20-të 30-të, pra në vitet e para të formimit të shtetit shqiptar dhe shtron pyetjen se çfarë do të thotë të kesh dinjitet - si individ dhe si komb.

 

 

Lea Ypi (lindur 1979) është shkrimtare dhe filozofe shqiptaro-britanike, profesore e teorisë politike në London School of Economics. Libri i saj "Të lirë - të rritesh në fund të historisë" ka gjetur jehonë të madhe si në Britaninë e Madhe edhe në Gjermani. Biseda me Lea Ypin u zhvillua në kuadër të prezantimit të saj në Festivalin e Filozofisë, phil.cologne në Köln, ku ajo foli për atë që e mban të bashkuar një shoqëri të hapur në kohë krizash.

Me Lea Ypin bisedoi Lindita Arapi

Lindita Arapi, me xhaketë rozë dhe bluzë të zezë
Lindita Arapi Gazetare, moderatore, autore, shkrimtare