Lëvizje të ethshme - Këshilli i Sigurimit diskuton të hënën kërkesën palestineze
25 Shtator 2011Pas kërkesës së palestinezëve në OKB për një anëtarësim të plotë të vendit në Kombet e Bashkuara, kuarteti i Lindjes së Mesme po bën presion për fillimin e bisedimeve të reja të paqes. Brenda katër javësh, izraelitët dhe palestinezët do të kthehen të tavolinën e bisedimeve ka deklaruar e ngarkuara e BE-së për politikën e Jashtme, Catherine Ashton. "Ne presim që palët të ulen së bashku brenda katër javësh dhe ne gjithashtu do të pyesim të dërguarit e kuartetit që të përgatisin këtë takim, të punojnë me palët për t'i ulur ata së bashku." Kuarteti i përbërë nga SHBA, OKB, BE dhe Rusia ka përgatitur një plan të qartë, sipas të cilit brenda tre muajsh palët do të duhet të përgatisin propozime të zgjeruara për sigurinë dhe kufijtë. Gjermania është gjithashtu e shqetësuar pas hapit të ndërmarrë nga palestinezët. Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare që të forcojë përpjekjet e saj për ndërmjetësim.
KS diskuton por rezultate nuk priten
Ndërkohë Këshilli i Sigurimit të OKB-së do të diskutojë të hënën kërkesën palestineze. Sipas analistëve nuk pritet ndonje vendim, më së shumti krijimi i një komisioni përkatës. Por edhe sikur palestinezët të marrin 15 votat në instancën më të lartë të OKB-së, SHBA ka bërë të ditur ndërkohë veton e saj. Pra kërkesa në KS është pa perspektivë, problemi për amerikanët fillon nëse kërkesa e Abasit shkon në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku shumica e vendeve e mbështet kërkesën palestineze.
Zëdhënësi për politikën e jashtme i fraksionit të partisë socialdemokrate (SPD) gjermane, Rolf Mützenich e përshëndeti vendimin që KS të diskutojë kaq shpejt për kërkesën palestineze. Kjo hap rrugët për bisedime vërtet serioze në Lindjen e Mesme."Kjo është një shenjë e qartë, se Këshilli i Sigurimit e merr seriozisht kërkesën palestineze, veçanërisht sfidat politike që lidhen me të. Nuk më duket se që të hënën do të kemi një rezultat, pra një miratim, po le të presim orët e ardhshme."
Izraeli do paqe afatgjatë
Po Izraeli? Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu përforcoi kërkesën e tij për paqen në fjalimin para OKB-së. Ai i kërkoi shteteve të OKB-së mos i përgjigjen kërkesës palestineze. "Palestinezët duan një shtet të vetin pa paqe" tha Netanjahu që këmbënguli se pala izraelite do një paqe afatgjatë. "Në mënyrë të veçantë unë i zgjas dorën popullit palestinez, me të cilin ne kërkojmë një paqe të drejtë dhe afatgjatë."
Autor: Lindita Arapi
Redaktor: Pandeli Pani