„Ne duhet të zgjidhim çështje të rëndësishme“ - Takimi i ministrave të Financave të eurozonës në Bruksel
17 Maj 2011Takimi i ministrave të Financave nën hijen e arrestimit të shefit të FMN-së
Shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar Dominique Strauss-Kahn ndodhet në paraburgim nën dyshimin për tentativë dhunimi. Edhe pse ky është një lajm me të vërtetë goditës për momentin nuk përbën asgjë më shumë, thotë ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble.
"Në kulturën perëndimore ekziston parimi i pafajësisë. Prandaj nuk duhen komentuar gjërat apo të arrihet në përfundime me të marrë lajmin. Por unë nuk shoh ndonjë lidhje në mes të një ngjarje të vërtetë apo të dyshuar në një hotel të Nju Jorkut me krizën e monedhës në Evropë."
Strauss-Kahn përfaqësohet në Bruksel nga një zëvendëse, egjiptianja Nemat Shafik. Po ashtu ministrja franceze e Financave Christine Lagarde në mënyrë demonstrative deshi të largoj vëmendjen nga arrestimi i bashkëkombasit të tij.
"Dialogu në mes të Bankës Qendrore Evropiane, Komisionit Evropian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili natyrisht do të jetë i përfaqësuar, vazhdon më tutje. Ne kemi të bëjmë me probleme serioze para së gjithash me paketën e ndihmave për Portugalinë dhe financimin e Greqisë."
Nga evropianët kërkohet zgjidhja e çështjeve të rëndësishme
Mesazhi i ministres franceze: nga ne kërkohet zgjidhja e çështjeve të rëndësishme. Në këtë kuadër ministrat e Financave dhanë dritën jeshile për ndihma në lartësi prej 78 miliardë për Portugalinë. Askush nuk priste ndonjë kundërshtim të madh pasi për detajet paraprakisht kishin rënë dakord Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Po ashtu nuk pritej as kundërshtimi i Finlandës, pasi Partia "Finlandezët e Vërtetë" janë larguar nga negociatat për koalicionin qeveritar.
Ndryshe paraqitet gjendja me ndihmat për Greqinë. Megjithë paketën e ndihmave në lartësi prej 110 miliardësh të miratuar para një viti, Greqia nuk po arrin të ulë shkallën e borxheve, përkundrazi borxhet e saj sa vijnë e shtohen. Bashkimi Evropian po shqyrton mundësinë që Greqinë ta lirojë nga kamatat dhe koha e përcaktuar për kthimin e borxheve. Po ashtu në diskutim ndodhet edhe një paketë tjetër e ndihmave. Por jo pa përpjekje të tjera shtesë të Greqisë, mendon ministrja austriake e Financave Maria Fekter.
"Ne jemi për zgjatjen e afatit dhe që atyre t'u lihet kohë. Por këstet e parave nuk mund të paguhen, nëse nuk shohim se po futen në binarët e duhur reformat e vërteta strukturore. Strukturat shtetërore në Greqi përafërsisht mund të parafytyrohen si strukturat tona në vitet e 60-ta dhe 70-ta: gjithçka shtetërore, gjithçka e mbipërcaktuar me rregullore, aty nuk mund të ketë asnjë zhvillim inovativ. Dhe në këtë pikë grekët duhet ta ndihmojnë veten para se të bëjnë thirrje për të holla të tjera."
Këtë pikëpamje e kanë një varg shtetesh evropiane por deri tani askush nuk e ka thënë kaq qartë sa ministrja austriake. Megjithatë në takimin e Brukselit nuk pritej të mirret ndonjë vendim për Greqinë.
Autor: Chrisoph Hasselbach / Esat Ahmeti
Redaktoi: Lindita Arapi