1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përmasat e vërteta të katastrofës në Japoni janë ende të paparashikueshme

13 Mars 2011

Në tërmetin më të rëndë në historinë e Japonisë me një cunami pasues mund të kenë humbur jetën më shumë se 10.000 vetë. Megjithatë, përmasat e vërteta të katastrofës nuk janë të parashikueshme.

https://p.dw.com/p/10YMe
Pamje nga Sendai (12 mars 2011)
Pamje nga Sendai (12 mars 2011)Fotografi: AP

Gjithsej 70 vende kanë premtuar mbështetje

Pamje nga Miyagi (13 mars 2011)
Pamje nga Miyagi (13 mars 2011)Fotografi: AP

Vetëm në një qytezë në provincën e prekur rëndë Miyagi autoritetet nuk kanë lidhje me gati 10.000 banorë. Kjo është gjysma e popullsisë së qytezës. Sipas njoftimeve të medieve rreth 390.000 vetë kanë marrë arratinë prej shkatërrimeve. Në pesë provinca janë ngritur më shumë se 1.400 kampe emergjence. Qeveria e dyfishoi numrin e ushtarëve për mbështetjen e forcave të shpëtimit në 100.000. Ndërkaq ndihmësit e parë gjermanë të Qendrës së Ndihmës Teknike (THW) mbërritën në Japoni. SHBA-ja do të ndihmojë me dy aeroplanmbajtëse. Gjithsej 70 vende kanë premtuar mbështetje. Fuqia e tërmetit të së premtes jepet nga autoritetet me 9,0 ballë.

Më shumë se 200.000 vetë u çuan në vende më të sigurta

Banorët evakuohen për në vende më të sigurta
Banorët evakuohen për në vende më të sigurtaFotografi: dapd

Pas tërmetit shkatërrimtar të së premtes qeveria japoneze nuk e përjashton më mundësinë, që në dy reaktorë të impiantit bërthamor Fukushima I të dëmtuar rëndë të ketë pasur shkrirje bërthamore të pjesshme. Por kjo nuk mund të konfirmohet, sepse nuk mund të verifikohet se çfarë po ndodh në reaktorë, tha zëdhënësi i qeverisë Yukio Edano. Në të njëjtën kohë ai paralajmëroi se në reaktorin 3 mund të ndodhë një shpërthim për arsye të grumbullimit të mundshëm të hidrogjenit. Por bërthama e reaktorit mund të mbetet në rregull, tha ai. Të shtunën një shpërthim pati shkatërruar ndërtesën e bllokut 1. Jashtë centralit ishin matur vlera rrezatimi shumë të rritura. Operatorët po përpiqen ndërkohë të arrijnë ftohjen e reaktorëve me ujë deti. Më shumë se 200.000 vetë në një rreze prej 20 kilometrash u çuan në vende të sigurta. Ndërkohë radioaktivitet i rritur u konstatua edhe rreth centralit bërthamor Onagawa.

Në Gjermani rindezet debati për energjinë bërthamore

Kancelarja Merkel pas takimit në Berlin shprehet për gjendjen në Japoni
Kancelarja Merkel pas takimit në Berlin shprehet për gjendjen në JaponiFotografi: dapd

Rastet kërcënuese të defekteve në centralin bërthamor japonez Fukushima rindezën në Gjermani diskutimin mbi shfrytëzimin e energjisë bërthamore. Kancelarja Angela Merkel i hodhi poshtë kërkesat për ta marrë mbrapsht vendimin e qeverisë për zgjatjen e kohës së shfrytëzimit të centraleve bërthamore me mesatarisht dymbëdhjetë vjet. Pas një takimi krize në Berlin kryetarja e Partisë Demokristiane (CDU) paralajmëroi verifikimin e standardeve të sigurisë të të gjitha centraleve bërthamore gjermane. Ministri i mjedisit Norbert Röttgen tha, se ai vazhdon ta konsiderojë energjinë bërthamore të përgjegjshme si teknologji urë për një kohë kalimtare. Ngjarjet në Japoni bënë të qartë, se duhen krijuar mundësisht shpejt alternativa gjithëpërfshirëse në furnizimin energjetik, theksoi Röttgen.

Kërkohet dalje e menjëhershme nga energjia bërthamore

Zinxhir njerëzor kundër energjisë bërthamore
Zinxhir njerëzor kundër energjisë bërthamoreFotografi: dapd

Disa dhjetëra mijëra vetë demonstruan me një zinxhir njerëzor 45 kilometër të gjatë nga kancelaria shtetërore në Shtutgart deri te centrali bërthamor Neckarwestheim për daljen e menjëhershme nga energjia bërthamore. Politikanë të opozitës, shoqata dhe nisma kundër energjisë bërthamore deklaruan, se në fund të fundit edhe në Gjermani energjia bërthamore nuk është e zotërueshme. Në Republikën Federale janë të kyçura gjithsej 17 centrale bërthamore.

Autor: Elert Ajazaj (dpa, ap, dapd, rtr)

Redaktoi: Esat Ahmeti