1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbët vendosin bllokada - mbyllen dy pika kufitare

11 Dhjetor 2022

Në veri të Kosovës rikthehen barrikadat e serbëve, pas arrestimi nga autoritetet kosovare të një ish-polici serb. Vuҫiq, arrestimin e ish-policit serb e cilësoi veprim të pamatur të Prishtinës zyrtare.

https://p.dw.com/p/4Kn7d
Kosovo | ethnische Spannungen vor den Kommunalwahlen
Bllokada ne veriFotografi: Bojan Slavkovic/AP Photo/picture alliance

Policia e Kosovës njoftoi se ka mbyllur për qarkullim dy pikat kufitare në veri të Kosovës Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë. Këtë vendim policia e mori pasi serbët lokal gjatë pasditës së shtunë, bllokuan për qarkullim disa rrugë në veri të Kosovës, në shenjë revolte pas arrestimit nga autoritetet kosovare të një ish-polici serb. Ky i fundit, akuzohet se ka organizuar sulmin e javës së shkuar mbi zyrat e KQZ-së në veri. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se ish-polici serb ka organizuar "sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.

"Dejan Pantiq akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm ndaj rendit kushtetues”, tha Sveçla.  Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nga ana e tij, arrestimin e ish-policit Dejan Pantiq nga Policia e Kosovës, e cilësoi si veprim të pamatur të autoriteve kosovare.

Vuçiq: Veprim i pamatur

Kosovo Zupce Straßenblockade
Fotografi: Fatos Bytyci/REUTERS

"Shërbimet tona e kanë hetuar shumë seriozisht të gjithë rastin. Unë bisedova me partnerët ndërkombëtarë dhe theksova pamaturinë e atyre që kryen një veprim të tillë dhe cënuan edhe një herë paqen”, tha Vuçiq gjatë një konference për media në Beograd.

Që nga fillimi i dhjetorit incidentet janë shtuar në veri të Kosovës, që nga koha kur autoritetet e Kosovës po bënin përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, pas dorëheqjes masive të përfaqësuesve serbë nga institucionet dhe komunat. Fillimisht, presidentja Vjosa Osmani, caktoi që me 18 dhjetor të mbahen zgjedhjet lokale në katër komunat në veri të Kosovës. Por pas presionit ndërkombëtar se në rrethana të tilla tensionimi nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në veri, presidentja vendosi për shtyrjen e këtyre zgjedhjeve. Ajo caktoi datën 21 prill të vitit 2023 për mbajtjen e zgjedhjeve lokale për kryetar të komunave në veri të Kosovës.

Aleksandar Vucic
Aleksandar Vucic Fotografi: Darko Vojinovic/AP/picture alliance

"Në mënyrë që të sigurojmë pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve në këto zgjedhje, vëzhgim nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, siguri për të gjithë qytetarët pa dallim, si dhe kohë të mjaftueshme për institucionet e sigurisë që të bëjnë edhe përpjekje e të ndërmarrin veprime shtesë për rend dhe ligj në veri në vendit, vlerësoj se shtyrja është e nevojshme”, tha presidentja Vjosa Osmani, pas një takimi që zhvilloi me partitë politike, ku u vendos për shtyrjen e zgjedhjeve.

Shtyrja e zgjedhjeve

 Vjosa Osmani
Vjosa OsmaniFotografi: Michaela Rihova/CTK/dpa/picture alliance

Vendimin për shtyrjen e zgjedhjeve në veri, e mirëpriti Bashkimi Evropian dhe QUINT-i. "Ky vendim konstruktiv çon përpara përpjekjet për të promovuar një situatë më të sigurt në veri, që është kyçe për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, si e vetmja mënyrë për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftimin e QUINT-it, ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia.

Edhe Bashkimi Evropian dhe misioni i OSBE-së, thanë se e "mirëpresin vendimin e presidentes Osmani dhe të liderëve të partive politike për të shtyrë mbajtjen e zgjedhjeve për kryetarë komune dhe ato për asambletë komunale në veri të Kosovës”. "Të gjithë duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të ulur tensionet dhe për t'u përqendruar në dialog”, shkroi zyra e BE-së në Kosovë.