Shteti i parë federal i SHBA ndal TikTok-un
18 Maj 2023Guvernatori i shtetit federal të Montanës ka nënshkruar një ligj sipas të cilit videoplatforma e njohur Tik Tok ndalohet përfundimisht në këtë shtet, më parë ligji kaloi në kongresin me shumicë republikane. Shteti federal i Montanës vendosi të ndalojë përdorimin e tij në të ardhmen për të mbrojtur qytetarët nga përgjimi i Partisë Komuniste të Kinës", tha guvernatori Gianforte.
Rregullorja e re i ndalon dyqanet e App-it të ofrojnë këtë aplikim nga viti 2024. Po ashtu TikTok nuk lejohet të jetë aktiv si sipërmarrje në shtetin federal Montana. Kush ofron mundësi për qasjen tek TikTok nga kjo kohë do të gjobitet me 10.000 dollarë. Dënimet nuk do t'u jepen përdoruesve, por ofruesve. Një zëdhënëse e medias sociale TikTok e ka kritikuar këtë vendim. Ky ligj shkel kushtetutën, tha Brooke Oberwetter, por e la të hapur nëse platforma nën pronësi të kompanisë kineze, Byte Dance do të ngrejë padi.
Kritikët e këtij vendimi shohin ndër të tjera rrezikimin e të drejtës për shprehjen e lirisë së mendimit. Disa e shohin këtë si test për ndalimin e TikTok në të gjithë vendin, që synohet nga shumë deputetë të Kongresit Amerikan. Në dhjetor Montana ndali përdorimin e TikTok në telefona në pronësi qeveritare, me argumentin e "rreziqeve signifikante" dhe të dhënave të ndjeshme. Disa deputetë, FBI dhe autoritete të tjera amerikane janë të shqetësuara, se videoplatforma në pronësi të kompanisë kineze ByteDance mund të keqpërdoret nga qeveria kineze për të pasur qasje në të dhënat e qytetarëve amerikanë apo të përhapë disinformacionë në favor të Pekinit dhe të ndikojnë kështu opinionin publik. TikTok vetë ka deklaruar, se një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë.
la/ag