Kryeministri grek Papandreu kërkon një referendum për vendimin e BE-së
1 Nëntor 2011“Për marrëveshjen e re duhet të shkojmë në plebishit", deklaroi Papandreu në mbledhjen e grupit parlamentar socialist duke kërkuar njëkohësisht edhe votëbesim për kabinetin e tij. "Kjo është forma më e lartë e demokracisë. Me këtë vendim qytetarët mund të dëshmojnë patriotizmin e tyre. Populli do të ketë fjalën e fundit", tha ndër të tjera Papandreu.
Ky vendim i kryeministrit grek, i cili përjashtoi edhe një herë zgjedhjet e parakohshme, ngjalli reagimin e zemëruar të opozitës që e akuzoi për “shantazh politik” dhe “mbërthim në karrigen e pushtetit”. Opozita e djathtë foli për “shantazh të skajshëm” që “minon dhe riskon ” dhe prezencën në BE dhe e karakterizoi kryeministrin si të “pamëshirshëm” dhe të “rrezikshëm”. E majta e cilëson “truk” dhe nacionalistët “aventuresk” plebishitin dhe të gjithë kërkojnë zgjedhje të parakohshme si i “vetmi plebishit i vërtetë”.
Por Papandreu e mohon këtë kategorikisht: "Ne i themi jo- zgjedhjeve të parakohshme. Kjo do të thotë vetëm një luftë politike dhe përçarje të popullit. Kjo do të pengonte përpjekjet e qeverisë për këtë program dhe do të thotë një falimentim i Greqisë", argumentoi vendimin kryeministri.
Media bën fjalë për veprim të “papërgjegjshëm” që hedh në erë marrëveshjen e Brukselit dhe i kërkon kryeministrit që ta tërheqë vendimin e tij. Referendumi është parashikuar të mbahet pas ratifikimit të marrëveshjes nga parlamenti.
Autor: Niko Anagnosti / Mimoza Cika-Kelmendi
Redaktoi: Esat Ahmeti