Ata që nuk flenë - Alimani në Berlinale
13 Shkurt 2011Para një fabrike në periferi të një qyteti provincial është një radhë e gjatë njerëzish që presin të marrin asistencën. Kur punonjësja e pyet Elsën (Luli Bitri) për burrin, ajo ngurron pak dhe pastaj thotë: "Pa punë." Kështu fillon filmi i Bujar Alimanit "Amnistia", i cili që nga e shtuna (12. 2. 11) po shfaqet në Berlin në kuadër të Festivalit të 61-të Ndërkombëtar të Filmit (Berlinale): Prodhimi shqiptaro-greko-francez është filmi i parë me metrazh të gjatë i regjisorit shqiptar, të cilin rruga e emigracionit në fillim të viteve 90-të e çoi në Athinë. 41-vjeçari i lindur në Patos e di fare mirë se çdo të thotë të jesh njeri i periferisë.
Të tillë janë personazhet e "Amnistisë": Njëra prej tyre është Elsa që e ka të shoqin në burg e që së bashku me dy djemtë e mitur jeton me vjehrrin në Pogradec. Ditën ajo rreket me sfidat e së tashmes, natën me shqetësimet e së nesërmes. Tjetri është Shpëtimi (Karafil Shena), i cili ka zgjedhur vullnetarisht turnin e natës për të mos ndjerë vetminë. Askush nga personazhet nuk vë gjumë në sy gjatë natës: Vëllai i Elsës shkon për peshk, i vjehrri i bie gajdes. "Për mua ka dy Shqipëri", thotë Bujar Alimani në një intervistë për Deutsche Welle-n. "Është njëra që na gëzon të gjithëve dhe që do të donim që e gjitha të ishte ashtu, pra ajo e Tiranës së Bllokut, por ka edhe një Shqipëri tjetër, e cila na trishton shumë kur e shikojmë".
"Shqipëria që na trishton"
"Amnistia" përqendrohet tek e dyta, ajo që po paguan çmimin e së parës, Shqipërisë që ecën me shpejtësi marramendëse drejt perëndimit. Për të treguar këtë Alimani nuk ka shkuar të filmojë mercedesët dhe fuoristradat luksoze të rreshtuara para bareve tek Blloku. Ai thjesht tregon se si nëpunësit e burgjeve, në biseda diskrete, por burokratike, i informojnë bashkëshortët e të dënuarve për një ligj të ri që ka hyrë në fuqi në kuadër të implementimit të standardeve evropiane. Ky ligj u lejon atyre takime intime të pavëzhguara, e ku ndër të tjera bashkëshortët kanë mundësi të kryejnë edhe marrëdhënie seksuale. "Kur e lexova në lajme se ka dalë një ligj i tillë, e ndjeva menjëherë se ky do të ishte trualli i filmit tim të ardhshëm", thotë Bujar Alimani.
Çdo muaj, në ditën e caktuar nga drejtoria e burgut, Elsa merr rrugën drejt Tiranës për takimin intim me të shoqin. Në njërën prej këtyre ditëve ajo afrohet me Shpëtimin, i cili gjithashtu vinte për të takuar të shoqen. Sa më shumë që ata afrohen me njëri- tjetrin, aq më përdhunuese duken aktet seksuale mes bashkëshortëve në qelinë intime. Alimani nuk ua ka kursyer aktorëve këto skena të guximshme: "Aktorët e kishin të qartë se skenat me seks ishin në funksion të filmit dhe jo të komplekseve të mia personale", thotë Alimani. Krejt ndryshe përcillet intimiteti në marrëdhënien e Elsës me Shpëtimin. Një përqafim tek pianoja e braktisur në shtëpinë e Shpëtimit e lë shikuesin të ndjejë erotizmin e të dashuruarve në shtrat. "Gjërat e bukura nuk kanë nevojë të tregohen", thotë regjisori tek komenton këtë skenë.
Gjërat që u dhembin shqiptarëve
Filmi është realizuar në sheshxhirime origjinale: në spital, në shtypshrkonjë, në banesa që kanë mbetur të pandryshuara që nga koha e komunizmit. Detajet dhe sekuencat e vogla të së përditshmes që Alimani i shkrin me shumë finesë në boshtin kryesor dhe loja autentike e aktorëve i hapin shikuesit një dritare në botën e brendshme të njerzve të perferisë. Perspektiva e autorit është e njëjtë si ajo e protagonistëve: Ata as nuk ankohen e as nuk vetë-ekspozohen, megjithëse jeta e tyre është luftë e përhershme: qoftë për mbijetesë, për nder apo për një dashuri. Sido që të jetë askush nuk del i fituar. Skenat nuk përmbajnë as patetizëm mëshirues, as vetëironi ballkanike ala Kusturica. "Nuk kemi pse të surprizojmë perëndimin me akrobacira kinematografike", thotë Alimani. "Vështrimi im është tek njerëzit dhe tek ato gjëra që në radhë të parë na dhembin neve vetë".
Me Amnistinë "Alimani" hyn në një periudhë të re të fazës së tij krijuese. Mbërritja e tij deri në këtë pikë nuk ishte e vetëkuptueshme, por jo e papërfytyrueshme. Për këtë flet jetëshkrimi i tij: Në vitin 1997 ai shkroi skenarin e parë "Katoi", që tregonte historinë e një djali shqiptar që emigron në Greqi së bashku me qenin e vet. Filmi 14 minutësh u prodhua vetëm në vitin 2002. Një fillim i vështirë, por i suksesshëm që i hapi rrugën financimit të projekteve të mëvonshme. Gas (2006) për varfërinë e një të papuni dhe Busulla (2007) për gjakmarrjen, të dy filmat u financuan nga televizioni publik grek. Lista e festivaleve ku janë shfaqur e nderuar me çmime filmat e Alimanit është e gjatë. Një vit më parë ish-studenti i Akademisë së Arteve të Tiranës e kthehu edhe një herë në skenën e Teatrit Kombëtar ish-pedagogen e vet, aktoren shqiptare Drita Pelingu, me monodramën "Rouz". "Amnistia", prodhimi i tij më i fundit, festoi të shtunën (12.2.) në Berlin premierën botërore. Alimani i shijon sallat e mbushura të kinemasë, kur shfaqet filmi i tij, si dhe turin e festivaleve që e presin më pas. Por vëmendja e tij është gjetkë. Tek dhjetë fletët ku është skicuar filmi i tij i ardhshëm. Ashtu si për "Amnistinë" edhe për këtë ai e ka gjetur truallin. Sërish në Shqipëri, sërish një plagë që në radhë të parë u dhemb shqiptarëve.
Autore: Anila Shuka
Redaktore: Lindita Arapi